Netët Evropiane të Studiuesve në Shkup: Nxënësit zbulojnë misteret e universit përmes ekspozitës

Në Qendrën Tregtare Diamond Mall në Shkup është duke u zhvilluar aktiviteti i Netëve Evropiane të Studiuesve 2025, ku jepet ekspozita “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh”, shkruan Portalb.mk.

Kjo ekspozitë organizohet nga Europe House Shkup, në bashkëpunim me CERN-in dhe Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematike (PMF), duke sjellë më afër publikut tonë botën magjepsëse të fizikës së grimcave, kërkimit shkencor dhe teknologjisë që formëson të ardhmen tonë.

Redona Bexheti, ligjëruese e Biofizikës në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës, dhe prezantuese e ekspozitës për nxënësit shqiptar, për Portalb.mk tha se qëllimi i kësaj ekspozite është ta afrojë shkencën me njerëzit, sidomos me të rinjtë, dhe t’i ndihmojë të kuptojnë se bashkëpunimi shkencor ndërkombëtar nuk njeh kufij kombëtar.

“Ekspozita është ende e hapur për publikun deri me 15 Tetor dhe është menduar si një udhëtim frymëzues drejt laboratorit më të madh në botë-CERN. Qëllimi i saj është ta afrojë shkencën me njerëzit, sidomos me të rinjtë, dhe t’i ndihmojë të kuptojnë se bashkëpunimi shkencor ndërkombëtar nuk njeh kufij kombëtarë. Ekspozita është e hapur për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, nxënësit, studentët dhe vizitorët pas vizitës marrin me vete kuriozitetin për të pyetur më shumë, dashurinë për dijen, dhe vetëdijen se edhe shkenca më e madhe e botës është ndërtuar nga bashkëpunimi. Shpresojmë që të rinjtë të shohin në CERN një model për zhvillimin e së ardhmes, ku dijet ndahen dhe frymëzojnë”, tha Redona Bexheti.

Foto nga ekspozita “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh”. Foto: Redona Bexheti
Foto nga ekspozita “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh”. Foto: Redona Bexheti

Ajo edhe më tej shtoi se ekspozita përfshin 40 figura, imazhe dhe stacione interaktive.

“Ekspozita përbëhet nga tre pjesë kryesore tematike, që në total përfshijnë mbi 40 figura, imazhe dhe stacione interaktive:

Disa fjalë rreth CERN” ku prezantohet struktura e përshpejtuesit 27 km nën tokë, katër detektorët kryesorë dhe zbulimet madhore si Bozoni i Higgsit. “Nga CERN në jetën e përditshme” ku vizitorët mësojnë sesi teknologjitë e CERN-it përdoren në mjekësi, energji, ekologji, hapësirë dhe internet. “Historia e Universit” ku përmes grafikëve dhe kronologjisë tregohet evolucioni nga Shpërthimi i Madh deri te njeriu e më sot. Mesazhi kryesor që përçon ekspozita është se shkenca është mjeti që na lidh të gjithëve, dhe çdo përparim në CERN ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme, shëndetin dhe mjedisin tonë. Vizitorët fitojnë njohuri për grimcat, energjinë e errët, përshpejtuesit e grimcave dhe mënyrën si zbulimet shkencore kthehen në teknologji të dobishme për njerëzimin”, tha Redona Bexheti.

Ajo shtoi se ka studentë dhe shkencëtarë nga Maqedonia e Veriut që kanë marrë pjesë në programe të CERN-it.

“Po, nga Maqedonia e Veriut kanë marrë pjesë disa studentë në programet dhe shkollat verore të CERN-it, përfshirë edhe këtë vit, ku një studente nga Universiteti i Tetovës përfaqësoi vendin tonë në këtë përvojë të jashtëzakonshme shkencore. Unë vetë kam doktoruar në fushën e fizikës mjekësore, me temë të zhvilluar në bashkëpunim me profesorë të angazhuar në CERN, ndërsa mentorja ime, prof. dr. Mimoza Ristova, ka qenë gruaja e parë nga Maqedonia e Veriut që ka punuar për një periudhë të caktuar në CERN”, tha Bexheti.

Foto nga ekspozita “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh”. Foto: Redona Bexheti
Foto nga ekspozita “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh”. Foto: Redona Bexheti

Bexheti tha se nxënësit shqiptarë mund të aplikojnë në CERN përmes faqes zyrtare të CERN-it.

“Nxënësit ose studentët mund të aplikojnë përmes faqes zyrtare të CERN-it në rubrikën “Students & Graduates”: Për studentët universitarë rekomandohet CERN Summer Student Programme ose openlab Summer Programme. Kërkohet që kandidati të jetë i regjistruar në një universitet dhe të ketë përfunduar të paktën 3 vite studimi në fizikë, inxhinieri, ose teknologji informatike. Për nxënësit e shkollës së mesme, CERN bashkëpunon me organizata lokale për masterclasse dhe ëorkshope interaktive, të ngjashme me këtë ekspozitë”, tha Redona Bexheti.

Ajo shtoi se ka gra të shumta që kanë luajtur rol të rëndësishëm në CERN.

“Po, shembujt ka shumë. Një prej më të njohurave është Dr. Fabiola Gianotti, që në vitin 2016 u bë drejtoresha e parë femër në historinë e CERN-it. Ajo udhëhoqi ekipin e eksperimentit ATLAS, që zbuloi Bozonin e Higgsit në vitin 2012 një nga arritjet më të mëdha të fizikes moderne. Përveç saj, dhjetëra shkencëtare, inxhiniere dhe programere gra punojnë çdo ditë në CERN, duke dëshmuar se gratë kanë rol qendror në zhvillimin shkencor botëror”, tha Redona Bexheti.

Shkenca është gjuha që i bashkon njerëzit pavarësisht kombësisë, fesë apo kulturës, tha Redona Bexheti.

“Ajo që na lidh më shumë përmes shkencës është bashkëpunimi dhe dashuria për dijen, të mbështetura mbi një kuriozitet të përbashkët njerëzor për të kuptuar Universin. Shkenca është gjuha që i bashkon njerëzit pavarësisht kombësisë, fesë apo kulturës, dhe CERN është shembulli më i mirë i kësaj fryme. Pikërisht aty, mbi një projekt që kalon kufijtë e shteteve, mijëra shkencëtarë punojnë me një qëllim të vetëm të zbulojnë të vërtetën dhe t’i shërbejnë njerëzimit. Kurioziteti ndez kërkimin, bashkëpunimi e bën të mundur, dhe dashuria për dijen e mban të gjallë. Në fund, shkenca na mëson se njerëzimi ecën përpara vetëm kur ndan dijen, dhe jo kur e kufizon atë”, tha Redona Bexheti.

Foto nga ekspozita “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh”. Foto: Redona Bexheti
Foto nga ekspozita “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh”. Foto: Redona Bexheti