Kryengritja e Gjeneratës Z: Të rinjtë kërkojnë ndryshime

Të rinj protestojnë nëpër gjithë botën kundër korrupsionit, pabarazisë dhe keqpërdorim të fuqisë. Ata në mënyrë digjitale janë të lidhur, kreativ dhe vendimtar. E ashtuquajtura Gjenerata Z është në këmbë nga Serbia deri në Madagaskar, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

Madagaskar: Lëvizje protestë kundër presidentit

Për Herizo Andriamanantena, zëdhënës i grupit Gen Z Madagascar, çdo gjë është e qartë: “Kemi detyrimin të ndryshojmë gjithçka. E sigurt është që presim shkarkimin dhe dorëheqjen (e presidentit). Sidomos dorëheqjen”, tha ai për DW.

Vala botërore e protestave të Gjeneratës “Z” tani ka arritur edhe në Madagaskar. “Të ndryshohet gjithçka” për protestuesit do të thotë fundi i keqmenaxhimit dhe korrupsionit – presidenti Andry Rajoelina duhet të largohet, sepse ndryshimi i qeverisë të cilën ai e shkarkoi nuk mjafton.

Në protestat të cilat filluan për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe mungesës së ujit të pijshëm, sipas Kombeve të Bashkuara ditëve të fundit janë vrarë të paktën 22 persona dhe 100 të tjerë janë plagosur.

Por mobilizimi, i udhëhequr nga të rinj të arsimuar mirë në moshë nga18 deri në 28 vjet, vazhdon pavarësisht kërcënimeve dhe frikësimeve, thotë Andriamanantena. Të rinjtë ndihen si shumicë: më shumë se gjysma e 32 milionë banorëve të Madagaskarit janë në moshë nën 30 vjet. Shembulli i cili i frymëzon: Nepali.

Nepal: Gjenerata “Z” e rrëzoi qeverinë

Qeveria e Nepalit bllokoi 26 platforma të mediave sociale, si Facebook dhe TikTok, me pretendimin se po mbronte sigurinë kombëtare. Gjenerata “Z” protestoi, dhjetëra mijëra të rinj dolën në rrugë.

Nën hashtagun #NepoBabies (term ky që përdoret për personat që përparojnë falë prindërve me ndikim), ata e ekspozuan korrupsionin dhe nepotizmin – dhe pavarësisht dhjetëra viktimave ata e rrëzuan qeverinë e kryeministrit Khadga Prasad Sharma, ndërsa përmes një votimi online si pasardhëse të tij e zgjodhën Sushila Karki, ish-kryetare të gjykatës dhe luftëtare kundër korrupsionit.

“Presim një zgjim të vazhdueshëm politik të udhëhequr nga Gjenerata “Z””, tha për DW Rajat Das Shrestha, një nga udhëheqësit e lëvizjes Gen Z në Nepal. “Kur të rinjtë ngrihen atëherë mund të bien qeveritë”.

Ajo që ndodhi në këtë vend me 30 milionë banorë, që ndodhet mes Kinës dhe Indisë, është një model për shumë lëvizje proteste të Gen Z në të mbarë botën.

“Nëse autoritetet vazhdojnë të injorojnë ëndrrat dhe frustrimet e të rinjve, ngjarje të ngjashme do të ndodhin në vende të tjera të rajonit”, tha Shrestha. Si në Indonezi dhe Filipine, ku kohët e fundit të rinjtë kanë protestuar kundër korrupsionit dhe pabarazisë.

Serbi: Kryengritja e Gjeneratës “Z” pas shembjes së stacionit të trenit

Jo vetëm në Azi – Gjenerata “Z” po proteston edhe në Evropë. “Kjo ishte pika e fundit që e mbushi gotën”, thotë për DW Jelena Popadiq, një nga zëdhënëset e lëvizjes protestuese. Ajo, një studente e mjekësisë, po aludon në përpjekjen e politikanëve serbë për ta fshehur shembjen e kulmit  të stacionit kryesor të trenit në Novi Sad më 1 nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona. Shkaku i tragjedisë: ndërtimi i dobët dhe korrupsioni.

Nga ajo ditë, për gati një vit, Gjenerata “Z” e bllokon Serbinë – duke i okupuar universitetet, duke bërë demonstrata javore, duke i bllokuar udhëkryqet dhe duke sulmuar zyrën e partisë së presidentit Аleksandar Vuçiq. Protestat kryesisht janë kundër qeverisë autoritare të Vuçiqit.

Thirrja e tyre gjatë tubimeve: “Pompo”, që do të thotë “Shto” ose “Përforco”. Vuçiq po tenton t’i shuajë protestat me forcë – por pa sukses.

“Studentët nuk kanë frikë dhe trimërinë e tyre e kanë përcjellur tek i gjithë populli populli”, tha për DW gjenerali i shkarkuar Bogoljub Zhivkoviq. Gjenerali, pas më shumë se 30 vitesh shërbim, u pensionua nga Vuçiqi sepse djali i tij, student i drejtësisë, mori pjesë në protesta dhe kërkoi t’i jepet fund korrupsionit.

Maroko, Peru, Paraguaj – vala e protestave të Gjeneratës “Z” në Amerikën Latine

Frika nuk ekziston as në mesin e lëvizjes rinore në Maroko,, e cila deri më tani ka vepruar në mënyrë anonime. Sipas agjencisë DPA pas protestave të natës të së mërkurës (1 tetor) ka pasur 280 të plagosur dhe mbi 400 të arrestuar.

Arsyeja kryesore për protestat është korrupsioni i vazhdueshëm, por edhe ndërtimi i stadiumeve për Kupën Botërore 2030, të cilën ky shtet do ta organizojë së bashku me Spanjën dhe Portugalinë – që sipas “Gen Z 212” në vend tyre duhet të ndërtohen spitale të reja.

Po pse “Gen Z 212”? E thjeshtë: 212 është prefiksi ndërkombëtar për thirrje telefonike drejt Marokut. Thirrjet për demonstrata po përhapen nëpërmjet TikTok-ut, Instagram-it dhe gejming – platformës Discord.

Edhe në Paraguaj dhe në Peru të rinjtë janë të lodhur nga nepotizmi dhe nuk duan më të pranojnë premtime boshe nga politikanët. “Ne jemi 99,9 përqind dhe nuk duam korrupsion”, ishte slogani i protestave në kryeqytetin Asuncion fundjavën e kaluar.

Para kësaj Gjenerata “Z” në Lima protestoi zëshëm me daulle kundër korrupsionit, presidentes jopopullore Dina Boluarte dhe për reformën e planifikuar të sistemit pensional.

Në Peru, si në të gjitha demonstratat e Gen “Z” në të gjithë botën, është i pranishëm një flamur: flamuri pirat me kafkën dhe kapelen prej kashte nga anime “One Piece”.

Personazhi kryesor i epopesë pirate, Monkey D. Rafe, lufton për liri dhe drejtësi. Një nga deklaratat e tij më të famshme do ta nënshkruanin të gjithë protestuesit e rinj:

“Dua të krijoj një botë në të cilën të gjithë miqtë e mi do mund të hanë sa të duan!”