Nesër në Shkup fillon “Nata e Hulumtuesve Evropianë 2025”
Nesër, 27 shtator 2025 (e shtunë) në orën 19:00 në Diamond Mall, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, do të hapë ekspozitën “CERN dhe Universi: Shkenca që na Lidh”. Kjo është ngjarja kryesore në shënimin e Natës së Hulumtuesve Evropianë 2025, ngjarja më e madhe shkencore në Evropë që i sjell kërkimin dhe Hulumtuesit më afër publikut, transmeton Portalb.mk.
Nata e Hulumtuesve Evropianë organizohet në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Europiane për Kërkime Bërthamore (CERN) dhe Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës (FSHNM). Këtë vit shënohet 20-vjetori i Natës së Hulumtuesve Europianë, duke e bërë edicionin e vitit 2025 një moment historik për promovimin e shkencës si një vlerë e përbashkët europiane.
“Ekspozita “CERN dhe Universi: Shkenca që na lidh” organizohet nga Europe House për t’i sjellë vizitorët më afër sekreteve të universit, fizikës së grimcave dhe bashkëpunimit shkencor europian. Vizitorët do të mund të bëjnë një shëtitje virtuale nëpër përshpejtuesin CERN dhe të shohin instalime interaktive. Ekspozita është e hapur për të gjithë publikun dhe do të mbetet e instaluar në Diamond Mall Shkup deri më 15 tetor 2025”, informojnë nga Delegacioni i BE-së.
Përveç në Shkup, Nata e Hulumtuesve Evropianë do të festohet edhe në pjesën tjetër të rrjetit të Europe House. Këto aktivitete janë të përshtatura për komunitetet lokale dhe përfshijnë prezantimet e Realitetit Virtual (VR), eksperimenteve STEM dhe analizave laboratorike deri te gjuetia e thesareve shkencore. Për më tepër, të rinjve nga Koçani do t’u ofrohet një vizitë me kurator në ekspozitën e CERN-it në Shkup.