Nëse të gjithë largohen, pse të insistoj që të qëndroj, deklaroi Xhaferi

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në intervistë për MIA-n deklaroi se do ta ndiqte vendimin e ministrave të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe do të tërhiqej edhe ai nëse VMRO-DPMNE-ja voton për ndryshimet kushtetuese. 

“Rrjedhimisht, nëse të gjithë largohen, pse të insistoj që të qëndroj”, deklaroi Xhaferi.

Në lidhje me zgjedhjet parlamentare thotë se qëndrimi i tij personal është se zgjedhje duhet të ketë në terminin e rregullt dhe nuk ka arsye kjo të mos jetë kështu, përderisa për atë nëse zgjedhjet për kohë më të shkurt do të ndihmonin që BDI-ja të ruajë sa më shumë vota, thotë se për këtë duhen kalkulime të bëjnë organet partiake.

“Me sa di unë, BDI ka deklaruar se mandati duhet të shkojë si mandat i rregullt dhe të kthehemi në procesin dhe sistemin e mandatit katërvjeçar. Por, vendimi i djeshëm që u bë i ditur është në kuadër të rezultatit apo deklaratës së takimit të liderëve mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës. Parakusht i opozitës ishte – po, do ta bënim këtë nëse BDI-ja shkon në opozitë dhe shpejtë u tha derisa po mbahej konferenca se nëse ky është parakusht për qytetarët, ne duhet të jemi jashtë kësaj Qeverie në mënyrë që ndryshimet kushtetuese të miratohen. Kryesia, lideri e kumtoi këtë”, deklaroi Xhaferi.

I pyetur nëse ai pajtohet me veprimin e tillë të BDI-së dhe se a do ta ndjekë në njëfarë mënyre, thotë se nëse është në favor të idesë do ta ndiqte këtë vendim.

“Në parim nëse jeni pjesë e ndonjë organizate nëse ka mundësi do ta thoni mendimin dhe në fund nëse ka vendim, nëse dëshironi të vazhdoni të jenë pjesë e organizatës do ta respektoni vendimin i cili është marrë në të kundërtën duhet të vendosni të largoheni nga subjekti.

Ndryshe, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nëpërmjet një letre publike drejtuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ka njoftuar se kanë dhënë dorëheqje ministrat dhe funksionarët e BDI-së, por të njëjtat do të aktivizohen pasi VMRO-DPMNE-ja opozitare t’i votojë ndryshimet kushtetuese.

“Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar!  Dorëheqjet, kryeministër, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese”, shkruan Ahmeti në letrën e tij.

Ndryshe, në qershor të këtij viti, lideri i VMRO-së Hristijan Mickoski, realizoi takim me kryeministrin dhe kryetarin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ku ishte propozuar që të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në dhe 5 nga 10 ministrat e LSDM-së t’i kalojnë opozitës maqedonase, por që paraprakisht të votohen ndryshimet kushtetuese. Mickoskit i kishte pëlqyer ideja, por kishte dhe një kusht, që BDI-ja të mos jetë pjesë e kësaj Qeverie.

“VMRO-DPMNE është e gatshme të marrë pjesë në një Qeveri të tillë, ku zgjedhjet do të përgatiten nga një qeveri teknike njëqind ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, dhe ndryshimet e mundshme kushtetuese të fillojnë të hyjnë në fuqi ditën kur do të fillojë ratifikimi i Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në kuadër të BE-së nga parlamentet e 27 vendeve anëtare”, tha Mickoski.

BDI nga ana tjetër nuk hezitoi të kthejë përgjigje me të cilën pranonte kalimin në opozitë, që ekspertët e vlerësuan si veprim me të cilin e kanë zënë në befasi kreun e VMRO-së Mickoskin, i cili me gjasë priste që një ofertë e tillë të refuzohej.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozues i të cilit është Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tani më e ka caktuar seancën plenare më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.