Në emër të “ndryshimeve kushtetuese”, BDI-ja e gatshme ta shkelë premtimin kryesor “kryeministri i parë shqiptar”

Ishte 05 qershori i vitit 2020, kur kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në shënimin e 18 vjetorit të themelimit të partisë, shpalosi idenë e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. “Të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për kryeministrin e parë shqiptar. Akoma nuk është përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe”, pati deklaruar atëkohë Ahmeti. Ky ishte edhe slogani i fushatës së tyre, me të cilën joshën elektoratin shqiptar. Madje gjatë fushatës ai u shpreh se mund ta kërkojnë edhe presidentin e shtetit. Kjo ide, që për hir të së vërtetës, pavarësisht se u prit me skepticizëm nga një masë e caktuar, do t’i pëlqente çdo shqiptari ta shihte si realitet. Por tani pas tre vitesh, “ndryshimet kushtetuese janë aq jetike, sa i tejkalojnë të gjitha sakrificat”, është arsyetimi i BDI-së për shkeljen e premtimit, shkruan Portalb.mk.

Premtimi për kryeministrin shqiptar i dha fitore BDI-së

Ky ishte premtimi më i madh dhe kryesori i zgjedhjeve të atij viti, i cili i solli fitore prej 15 deputetësh Bashkimit Demokratik për Integrim. Ali Ahmeti fliste me bindje të plotë gjatë fushatës parazgjedhore se një premtim i tillë do të realizohet me çdo kusht.

Fillimisht u shpalos vetëm si ide, ndërsa më pas, Naser Ziberi edhe zyrtarisht u bë kandidati i BDI-së për kryeministër shqiptar. Ziberi pati deklaruar se oferta e BDI-së e ka befasuar për të mirë. Sipas tij, kjo është historike për vendin pasi shqiptarët kanë kthyer besimin në institucione dhe kanë filluar të ëndërrojnë. Por, vetëm disa ditë më herët në prononcime për media, Ziberi duke mos e ditur se ai do të jetë kandidati për kryeministër shqiptar, ketë ide e kishte vlerësuar si propagandë partiake dhe joatraktive sidomos për votuesit shqiptar. Ai kishte thënë se kjo është e realizueshme vetëm në sajë të një marrëveshje me partitë e tjera, të cilën, në këtë rast, BDI-ja nuk e ka.

Naser Zyberi, kandidat për kryeministër. Foto: BDI
Naser Zyberi, kandidat për kryeministër. Foto: BDI

Dy liderët e partive më të mëdha maqedonase Zaev dhe Mickoski e vlerësuan si kandidat “shpic”, i cili nuk ofron program dhe se nuk do të mund t’i ndihmojë BDI-së për 20 ditë fushatë, pasi të njëjtës i duhen katër vite në opozitë që të reformohen.

Por pas përfundimit të zgjedhjeve, LSDM dhe BDI filluan bisedimet për formimin e Qeverisë ku edhe arritën marrëveshje që kryeministër me mandat 4-vjeçar të jetë Zoran Zaevi, ndërkaq në 100 ditët e fundit të mandatit, BDI do të propozojë kuadër për kryeministër shqiptar.

“Për hir” të ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë kryeministër shqiptar, BDI me fushatë “sakrifikimi”

Duket se kjo marrëveshje nuk do të realizohet, pasi së fundmi, LSDM-ja dh BDI-ja, po ia plotësojnë të gjitha kërkesat VMRO-DPME-së në emër të votimit të ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, BDI-ja e vetëdijshme se edhe ky “sakrifikim” mund ta nxjerrë “faqebardhë” para elektoratit të saj, nuk hezitoi ta përdor. Ekspertët vlerësojnë se, pavarësisht se bëhet fjalë për shkelje të një premtimi, BDI-së iu dha mundësia e përsosur për të treguar galantizëm, të cilën e shfrytëzuan. Por ky “galantizë,” i shkon për shtat vetëm BDI-së, e cila do të dilte me më shumë përkrahje pas zgjedhjeve pikërisht për shkak të dorëheqjes së tyre nga qeveria për të shtyrë ndryshimet kushtetuese, ndërsa do të kishin edhe më shumë mbështetje ndërkombëtare.

Lideri i VMRO-së Hristijan Mickoski, realizoi takim me kryeministrin dhe kryetarin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ku ishte propozuar që të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në dhe 5 nga 10 ministrat e LSDM-së t’i kalojnë opozitës maqedonase, por që paraprakisht të votohen ndryshimet kushtetuese. Mickoskit i kishte pëlqyer ideja, por kishte një kusht, që BDI-ja të mos jetë pjesë e kësaj Qeverie.

“VMRO-DPMNE është e gatshme të marrë pjesë në një Qeveri të tillë, ku zgjedhjet do të përgatiten nga një qeveri teknike njëqind ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, dhe ndryshimet e mundshme kushtetuese të fillojnë të hyjnë në fuqi ditën kur do të fillojë ratifikimi i Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në kuadër të BE-së nga parlamentet e 27 vendeve anëtare”, tha Mickoski.

Dimitar Kovaçevski - Hristijan Mickoski, foto: VMRO-DPMNE
Dimitar Kovaçevski – Hristijan Mickoski, foto: VMRO-DPMNE

BDI nga ana tjetër nuk hezitoi të kthejë përgjigje me të cilën pranonte kalimin në opozitë, që ekspertët e vlerësuan si veprim me të cilin e kanë zënë në befasi kreun e VMRO-së Mickoskin, i cili me gjasë priste që një ofertë e tillë të refuzohej.

“BDI është e gatshme të mbështesë një Qeveri pa BDI deri në zgjedhje, nëse opozita i përkrah ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të hyjnë në fuqi para formimit të asaj qeverie. E ardhmja evropiane e qytetarëve është e para”, njoftoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani

Bashkimi Demokratik për Integrim madje pranoi që të heqë dorë edhe nga ideja e kryeministrit të parë shqiptarë dhe në vend të tyre VMRO-DPMNE, të propozojë kryeministër. Kjo e gjitha, siç u shprehën nga BDI, si sakrificë për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë jetike.

Propozimi i këtillë erdhi nga, Bujar Osmani i cili gjatë një emisioni në TV21 deklaroi se BDI është e gatshme që t’ia lëshojë vendin e kryeministrit shqiptar VMRO-DPMNE-së.

“Qeveria është shumë më e madhe se pozicioni i kryeministrit. Ne tani po bëjmë kompromis për kushtetutën, nuk do të lejojmë asnjë alibi. Nëse Mickoski thotë se kërkon edhe kryeministrin deri në zgjedhje, edhe kryeministrin ia japim. Ndryshimet kushtetuese janë aq jetike, sa i tejkalon të gjitha sakrificat”, tha Osmani.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se propozimi është i pranueshëm, por me një kusht që kryeministri të jetë nënshkrues i ndryshimeve kushtetuese.

“Qëndrim i BDI-së është përafërsisht i fuqishëm”, tha kryeministri duke shtuar se edhe ai është i gatshëm që ta lëshojë pozitën e kryeministrit nëse, ndonjëri prej VMRO-DPMNE-së do të bëhej propozues i ndryshimeve kushtetuese.

“Duhet të dihet se unë si kryeministër jam propozues i ndryshimeve kushtetuese. Nëse, cilido nga VMRO-DPMNE pranon që të bëhet propozues i ndryshimeve kushtetuese, unë me kënaqësi do të ia lëshoja vendin”, thonë burimet qeveritare.

Nga ana tjetër, burimet qeveritare thonë se VMRO-së i kanë propozuar edhe zgjedhje të parakohshme nëse pranon që t’i votojë ndryshimet kushtetuese.

“Ofruam që të votohen ndryshimet kushtetuese dhe menjëherë të shkojmë në zgjedhje. Kryetari i VMRO-DPMNE-së publikisht thotë se nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese dhe pranon që të hyjë në Qeveri. Ai ka edhe një kusht që BDI të jetë jashtë Qeverisë, që do të sjellë deri te destabilizimi, pasi që edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Besa paralajmëruan se në një rast të tillë do ta lëshojnë qeverinë. Në këtë rast VMRO-DPMNE do të ketë më shumë ministra nëse i përzë shqiptarët”, thonë burime qeveritare.

Qeveri pa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut?

Pas Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), edhe Aleanca për Shqiptarët do të vendosë për dalje nga Qeveria, për të realizuar, siç thanë nga kjo parti, kushtin e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, që të mbështesë miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe formimin e një Qeverie të zgjeruar pa BDI-në.

Edhe pse VMRO DPMNE-ja nuk e ka përmendur Aleancën për Shqiptarët, kryetari i kësaj partie, Arben Taravari, tha se ka informacione se VMRO-së i pengon që në qeveri të zgjeruar të jetë edhe partia që ai drejton.

“Sa i përket kushtit të VMRO DPMNE-së për daljen e partive shqiptare nga Qeveria dua të theksoj se neve na intereson përmbyllja e procesit evropian dhe perspektiva e qytetarëve dhe jo llogaritë elektorale. Aleanca për Shqiptarët hyri në Qeveri për hir të procesit, por do të adaptohen varësisht rrethanave të reja, qoftë në Qeveri apo jashtë saj”, deklaroi Taravari.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë se kushti VMRO-së për përjashtimin e BDI-së nga një Qeveri e re paraqet “rrezik” për probleme të brendshme politike.

“Mendoj se më e pakta që i duhet këtij vendi është komplikimi i mëtejshëm i situatës me një problem të ri të brendshëm politik, si pasojë e përjashtimit të një partie të rëndësishme politike nga pjesëmarrja në qeverisjen e vendit. Pra, nga pikëpamja e kërkesave të VMRO-DPMNE-së për përjashtimin e BDI-së, mund të gjejmë arsye, por nga pikëpamja nëse një zgjidhje e tillë kontribuon apo pengon procesin, konkluzioni im është se nuk është e dobishme për stabilitetin e shtetit dhe për tejkalimin mundësisht më të lehtë dhe më të mirë të sfidave politike me të cilat po përballemi”, tha për Radion Evropa e Lirë Aleksandar Spasenovski, njohës i çështjeve politike.

Sipas tij, “nga pikëpamja teknike, kushtetuese-juridike, nuk ka problem që ndonjë amendament kushtetues të zbatohet më vonë”, por këtu, tha ai, “kemi të bëjmë një detyrim ndërkombëtar të Qeverisë që ndryshimet kushtetuese të miratohen ndërmjet konferencës së parë dhe të dytë ndërqeveritare”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Sondazhet e fundit tregojnë për mbështetje më të madhe të VMRO-DPMNE-së përballë LSDM-së në pushtet. Por nga ana tjetër, edhe në kampin politik shqiptar, partia që ka më shumë mbështetje është BDI. Nëse këto parashikimi rezultojnë të sakta në zgjedhjet e ardhshme që mund të mbahen në vjeshtë të vitit 2024, ose nëse pranohet kërkesa e Mickoskit për zgjedhje të parakohshme edhe më herët, atëherë dy partitë pas zgjedhjeve do të duhet të koalicionojnë mes vete për formimin e Qeverisë. Në të tilla raste, partnerët e koalicionit bëjnë marrëveshje dhe vendosin kushte ndaj njëri-tjetrit, të cilat mund të pranohen ose jo. Megjithatë në rastet nuk shihet opsion për formimin e Qeverisë me partitë tjera, shumica e kushteve pranohen nga të dyja palët. Në këto kushte, ka mundësi për realizimin e idesë për kryeministër shqiptarë, megjithatë sërish këtë si të realizuar do të mund ta shihnim vetëm pas katër viteve të tjera, në 100 ditëshin e fundit.

Skenari tjetër është fitorja e LSDM-së, ose formimi i Qeverisë nga kjo parti, nëse eventualisht ka numra të mjaftueshëm dhe nëse VMRO-ja nuk arrin të formojë Qeveria. Edhe në këtë rast, ashtu sikurse para 3 vitesh me Zoran Zaevin, mund të ketë marrëveshje për idenë e kryeministrit shqiptar, me mandatarin e ardhshëm të LSDM-së, që konsiderohet se mund të pranohet pa rezistencë, natyrisht në 100 ditëshin e fundit, pasi elektorati maqedonas tashmë ka dëgjuar për këtë ide dhe nuk do të nxiste zemërimin e maqedonasve. Megjithatë, këtë rast mund ta shfrytëzojë VMRO-ja për nxitje të tendencave populiste, siç ka ndodhur shumë herë në të kaluarën.

Sidoqoftë, koha do të tregojë se cili skenar do të realizohet dhe nëpërgjithësi a do të realizohet ideja e kryeministrit shqiptar, apo euforia dhe mburrja për “sakrifikimin e premtimit dhe partisë” për ndryshimet kushtetuese do ta lërë tërësisht në harresë këtë premtim.

Kujtojmë se nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.