Nëntë të dyshuarit në rastin me operacionet e dyshimta në “Sante Plus” me masa kujdesi, do t’u konfiskohen dokumentet
Gjykata ka caktuar masa kujdesi për gjithsej nëntë të dyshuarit në rastin “Sante Plus”, i cili lidhet me dyshimet për keqpërdorime gjatë faturimit të operacioneve të syve në këtë spital privat dhe dëmtimin e Fondit për Sigurim Shëndetësor prej rreth 1.7 milion eurosh, transmeton Portalb.mk.
Gjykata ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vendosur dy masa: konfiskimin e përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit dhe detyrimin për t’u paraqitur në gjykatë.
Rasti u njoftua pas një aksioni policor të zhvilluar më 29 tetor në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, gjatë të cilit u arrestuan tetë persona. Në kuadër të hetimit, MPB-ja ka ngritur kallëzim penal ndaj 11 personave fizikë dhe një personi juridik.
Sipas pretendimeve në kallëzimin penal, dy ish-drejtorë të Fondit për Sigurim Shëndetësor, së bashku me përfaqësues të spitalit privat, dyshohet se në vitin 2020 kanë lidhur marrëveshje në kundërshtim me procedurat dhe aktet e brendshme të Fondit.
Institucioni shëndetësor dyshohet se ka faturuar të njëjtat shërbime si ndaj Fondit, ashtu edhe ndaj pacientëve. Përveç bashkëpagesës së përcaktuar me ligj, pacientëve u është kërkuar të paguajnë edhe çmimin e plotë privat për operacionet, pa u informuar se shërbimet mbuloheshin edhe nga Fondi.
Sipas MPB-së, dëmi ndaj buxhetit të Fondit për Sigurim Shëndetësor vlerësohet në 104.8 milionë denarë, përkatësisht rreth 1.7 milionë euro, ndërsa dyshohet se institucioni shëndetësor ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme rreth 4.25 milionë euro gjatë periudhës 2022–2025. Nga faturimi i dyfishtë dyshohet se janë dëmtuar rreth 3.000 deri në 4.000 pacientë.