Në zgjedhjet lokale do të mund të marrin pjesë edhe kandidatët e pavarur për kryetarë të komunave dhe këshilltarë
Në zgjedhjet lokale do të mund të marrin pjesë edhe kandidatët e pavarur (jopartiak) për kryetarë të komunave dhe këshilltarë, njofton Portalb.mk. Kjo mund të interpretohet nga deklarata që pas miratimit të kalendarit të afateve për zgjedhjet lokale dje e dha kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Boris Kondarko. Duke iu referuar nenit 60 nga Kodi Zgjedhor, ai tha se KSHZ-ja nuk ka të drejtë askujt t’ia shkurtojë të drejtën ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin, secili ka të drejtë të barabartë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Do të thotë, KSHZ-ja nuk ka të drejtë dhe askujt nuk ia shkurton të drejtën ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje. Neni 60 ekziston në Kodin Zgjedhor, ai është i qartë dhe i qasshëm për të gjithë. Do të thotë të gjithë – edhe partitë politike, koalicionet dhe grupet e zgjedhësve, në pajtim me nenin 60, kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje”, deklaroi Kondarko.
Ai këtë e tha duke dhënë shpjegim në njërin nga konkluzionet e miratuara në seancën e djehsme të KSHZ-së, me të cilit jashtë fuqisë vendoset Rregullorja e KSHZ-së për rregullim të procedurës për grumbullim të nënshkrimeve.
Lënia jashtë fuqisë e një rregulloreje të këtillë, siç tha Kondarko, është në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilën u shfuqizuan nenet nga Kodi Zgjedhor me të cilët u rritën kuotat e nënshkrimeve të qytetarëve të cilët duhej t’i grumbullonin kandidatët e pavarur për kryetarë të komunave dhe listat për këshilltarë për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Në këtë rast nuk bëhet fjalë për kurrfarë vendimi të KSHZ-së, por për zbatim të drejtëpërdrejtë të ligjit. Udhëzimi lihet jashtë fuqisë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin janë pezulluar nenet 61 dhe 62 nga Kodi Zgjedhor për grumbullimin e nënshkrimeve, gjegjësisht për përqindjen dhe numrin e nënshkrimeve të nevojshme për kandidim në lista”, deklaroi kryetari i KSHZ-së.
Neni 60 paragrafi 1 nga Kodi Zgjedhor, të cilit iu referuar Kondarko në deklaratën e tij, thotë: “Të drejtë të dorëzojnë listë të kandidatëve për deputetë, listë të kandidatëve për anëtarë të Këshillit, gjegjësisht listë të kandidatëve për kryetarë komunash kanë partitë e regjistruara politike në mënyrë të pavarur, koalicione, si dhe grup zgjedhësish”.
Pasiguria rreth (mos)pjesëmarrjes së kandidatëve të pavarur në zgjedhjet e sivjetme lokale u shfaq pasi në maj të këtij vitit Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi nenet 61 dhe 62 nga Kodi Zgjedhor me të cilët u rritën kuotata e nënshkrimeve të qytetarëve të cilët duhej t’i grumbullojnë të pavarurit që të marrin pjesë në zgjedhje. Korpusi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, midis të cilëve edhe këto, u miratuan në mars të vitit të kaluar, në virgjilje të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, ndërsa duhet të vlenin për zgjedhjet e sivjetme lokale.
Kuvendi, ndërkohë, nuk miratoi ndryshime të Kodit Zgjedhor.
Se të pavarurit do të mund të marrin pjesë në zgjedhje pa nënshkrime para pak kohësh deklaroi profesori universitar Denis Preshova në intervistë për “Prizma“. Ai, gjithashtu, iu referua nenit 60 nga Kodi Zgjedhor, duke shtuar se të pavarurit kanë të drejtë ligjore të dorëzojnë lista të kandidatëve pa grumbulluar nënshkrime për shkak se KZ për momentin nuk parashikon që numër ose përqindje të tillë të nënshkrimeve se është i nevojshëm për dorëzim të listët së kandidatëve.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.
- LEXO: Gjykata Kushtetuese e RMV-së shfuqizoi nenet e Kodit Zgjedhor që rritën pragun për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur
- LEXO: Kryetari i Kuvendit të RMV-së i shpalli zgjedhjet lokale më 19 tetor
- LEXO: KSHZ e miratoi kalendarin për zgjedhjet lokale: dorëzimi i listave të kandidatëve deri më 13 shtator, fushata fillon më 29 shtator
- LEXO: Organizatat qytetare në RMV kërkojnë që për kandidimin e këshilltarëve të pavarur kushti të jetë nga 20 deri më 100 nënshkrime
- LEXO: Nismat qytetare në RMV kundër Mickoskit në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor