Nismat qytetare në RMV kundër Mickoskit në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Përfaqësues nga sektori civil përmes një reagimi publik kanë shpreh qëndrimet kundër nismës për rritjen e numrit të nënshkrimeve për pjesëmarrjen e nismave qytetarë në zgjedhje, duke vlerësuar se “kryeministri skandinav, po manipulon në mënyrë ballkanike?”, transmeton Portalb.mk.

“Të pretendosh se rritja e pragut për kandidatët e pavarur është në të mirë të qytetarëve është fyerje ndaj inteligjencës së tyre. Është si t’ua mbyllësh derën dhe pastaj t’ua shpjegosh se në atë mënyrë do të hyjnë më lehtë. Kandidatët e pavarur janë zëri i drejtpërdrejtë i qytetarëve – çdo pengesë administrative ndaj kandidimit tonë është goditje ndaj të drejtës themelore për zgjedhje dhe përfaqësim. Rritja e pragut nuk është ndihmë, por pengesë. Dhe kushdo që pretendon të kundërtën, ka frikë nga pluralizmi i vërtetë”, thuhet në reagimin publik.

Ata reaguan ndaj deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, se “po sjellim zgjidhjet më të mira për nevojat e qytetarëve, dhe jo të individëve apo të disa organizatave joqeveritare.” Ata përkujtojnë edhe një deklaratë të Mickoskit në vitin 2021 ku kishte theksuar se nuk është e nevojshme që të ketë prag për dorëzimin e një liste të pavarur në zgjedhjet lokale.

“Ndryshimet që Mickoski dhe partitë e tjera po përpiqen t’i kalojnë në Kuvend janë një version edhe më ekstrem i ndryshimeve të mëparshme që u shpallën antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, duke përkujtuar vendimin e vitit 2025 të Gjykatës Kushtetuese ku anulohen ndryshimet antikushtetuese në Kodin Zgjedhor.
Këto nisma qytetarë janë pjesë e këshillave komunale në zgjedhjet e fundit lokale, ndërkohë kundërargumentojnë Mickoskin me shembuj të ndryshëm nga vendet evropiane

“Kryeministri sot thotë se në Gjermani duhen 5% për të hyrë në parlament, por nuk sqaron se kjo ka të bëjë me përqindjen e votave të fituara në zgjedhje. Ai nuk thotë gjithashtu se për të kandiduar në zgjedhje në Gjermani, një listë qytetare duhet të mbledhë VETËM 200 NËNSHKRIME”, theksohet në reagim.

Ata vlerësojnë se Mickoski (pa)vetëdije po ngatërron pragun për hyrje në parlament me pragun e nënshkrimeve për të kandiduar.

Në listë numërohen edhe shembuj nga vendet si Franca, Estonia, Malta, Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Irlanda, Holanda, Finlanda, Danimarka, Gjermania, Zvicra, Islanda dhe vende tjera.

Nismat qytetare që e kanë nënshkruar këtë reagim janë: Qyteti i Gjelbër Human – Shkup, Shans për Qendrën
Të Pavarurit për Karposh – për Mbrojtjen e Karposhit, Ndryshe në Komunën e Manastirit, MJAFT – Strumicë, MJAFT – Bosillovë, MJAFT – Novo Sellë, Ish-këshilltarë të pavarur nga Më mirë për Tetovën dhe Nisma qytetare Të Gjelbrit e Gazi Babës.

Ndryshe, nisma qytetare Më Mirë për Tetovën sot (19 qershor) i kundërshton ashpër ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor, të cilat rrisin në mënyrë drastike numrin e nënshkrimeve për pjesëmarrje në zgjedhje. Ata thonë se partitë politike në vend që të garojnë me ide të reja si ta përmirësojnë jetën e qytetarëve, ata ndërhyjnë në Kodin Zgjedhor, për të vështirësuar pjesëmarrjen në zgjedhje kandidatëve të pavarur, raporton Portalb.mk.

Gjykata Kushtetuese më 20 maj njoftoi se ka shfuqizuar nenet e Kodit Zgjedhor që rrisnin kuotat e nënshkrimeve të qytetarëve që kandidatët dhe listat e pavarura që planifikonin të merrnin pjesë në zgjedhje duhej të mblidhnin. Korpusi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, përfshirë këto, u miratua në mars të vitit të kaluar, në pritje të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit të kaluar, dhe supozohej të zbatohej edhe për zgjedhjet lokale të këtij viti.