Në vend të urimit: Lule në Sheshin Skënderbeu ku “lulëzon” bërllogu e kaosi

Nëntori i festave shqiptare, sheshin “Skënderbeu” në Shkup e gjeti në kaos dhe papastërti, pavarësisht se për të njëjtin qytetarët paguan mbi 14 milionë euro. Portalb.mk, gjatë këtij muaji ka bërë vizita të shpeshta në shesh për të parë nëse Komuna e Çairit dhe autoritete përkatëse do t’i sanojë dëmet dhe do ta rikthejë “shkëlqimin” e sheshit, sikur në spotet propagandistike të BDI-së, pjesë e së cilës ishte edhe kryetari aktual i Çairit, Visar Ganiu, i cili tanimë, bashkë me paraardhësin e tij, Izet Mexhiti, ka kaluar në kampin opozitar të “Lidhjes Evropiane për Ndryshim”, shkruan Portalb.mk.

Sheshi që mban emrin e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili më 28 nëntor të vitit 1443 e ngriti flamurin në Krujë, është vendi kryesor ku shqiptarët mbajnë manifestimet kulturore, artistike, por edhe politike dhe civile. Funksionarët e partiakët, këto ditë vendosin lule në nder të figurës së heroit, derisa “lulëzon” nga bërllogu, papastërtia.

Autoritetet komunale nuk kanë interes që të rivendosin në funksion ashensorët e prishur dhe të mbushur me mbeturina, e as shkallët elektrike, të cilat janë blerë me paratë e qytetarëve dhe janë lënë që të shkatërrohen. Ndër të paktat ndërhyrje të Komunës së Çairit për rregullimin e sheshit Skënderbeu është aktiviteti i 24 nëntorit, kur nxënësit e Çairit në bashkëpunim me arsimtarët e artit i ngjyrosën muret në pjesën e poshtme të sheshit.

Por, situata është larg asaj që promovuesit e këtij projekti e propagandonin, pavarësisht se 2-3 ditët e fundit janë parë disa punëtorë që pastrojnë, gjendja me pastërtinë në këtë shesh është një sfidë e vazhdueshme e cila nuk po tejkalohet.

Ashtu siç dëshmojnë edhe video-pamjet e djeshme, një ditë para festës së 28 Nëntorit, gjendja në pjesën e poshtme të sheshit mbetet pothuajse e njëjtë.

Si për ironi, në katrahurën e pjesës së poshtme të sheshit, dikush kishte lënë një buqet me lule të freskëta me mbishkrimin e Lëvizjes Politike “Shqipëria bëhet Tiranë”, e cila udhëhiqet nga Adriatik Lapaj, i cili këto ditë ndodhet në Shkup.

Dje stërnipi i Skënderbeut, Loris Castriota Skanderbegh II, në shoqërimin e kryetarëve të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, Alternativës, Afrim Gashi dhe Lidhjes Demokratike Izet Mexhiti, por edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu, vendosën lule “për të lartësuar dhe nderuar figurën e heroit kombëtar”.

Në ndërkohë, Komuna e Çairit nuk ka paralajmëruar kurrfarë aktiviteti zbavitës apo kulturor në Sheshin Skënderbeu në nder të 28 nëntorit, ashtu siç nuk pati as më 22 nëntor, në nder të Ditës së Alfabetit.

Ganiu, në nder të 22 dhe 28 nëntorit, inauguroi dy rrugë me emrat e festave, ndërkaq për më 28 nëntor, ai do të jetë pjesë e ngjarjes së nënshkrimit të koalicionit mes partive opozitare shqiptare.

Në ndërkohë, partitë opozitare Lëvizja BESA, Alternativa dhe Lidhja Demokratike për sot kanë paralajmëruar se “në festën e madhe kombëtare të shqiptarëve, në qytetin e Tetovës do të nënshkruhet deklarata zyrtare e koalicionit “Lidhja Europiane për Ndryshim”.

“Ceremonia e nënshkrimit të deklaratës do të jetë ngjarje historike, me një organizim madhështor, e cila do të jetë pikënisja e fitores së madhe të koalicionit, pikërisht në ditën e fitores së shqiptarëve, ditën e flamurit”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër partia pushtetare BDI, e cila është pjesë e Qeverisë dhe e cila propagandonte rëndësinë e këtij sheshi, nuk ka paraparë asnjë aktivitet për festat e nëntorit në këtë shesh, e as ka ndërmarrë iniciativë për rregullimin dhe mirëmbajtjen e sheshit. Spotet propagandistike kanë mbetur vetëm në arkivat e llogarive të pakontrolluara nga partia, të cilat dëshmojnë se sot, ky shesh është krejt ndryshe nga ajo që u premtua.

Derisa sheshi mbetet në gjendje katastrofike, partitë shqiptare në pushtet dhe në opozitë, vijojnë aktivitetet partiake dhe fushatat e parakohshme për zgjedhjet që paralajmërohen të mbahen në prill.

Redaksia e Portalb.mk ju uron festën kombëtare të 28 Nëntorit.

Tekstet paraprake për Sheshin “Skënderbeu”:

Sheshi “Skënderbeu” u hap zyrtarisht në shtator të vitit 2017-të, ndërkaq punimet për të kanë filluar që në vitin 2012-të dhe ka një hapësirë prej mbi 28 mijë metra katrorë.