Lufta kundër korrupsionit fillon në Kuvendin e RMV-së: Kërkohen më shumë debate mbikëqyrëse dhe transparencë
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duhet të organizojë sa më shumë debate mbikëqyrëse dhe ky institucion nuk duhet të ngutet me sjellje të ligjeve me procedurë të shkurtuar. Kjo mes tjerash ishte ndër porositë e debati”Një vit më pas: Deri ku është Kuvendi me luftën kundër korrupsionit”, organizuar nga Instituti për Demokraci- Societas Civilis, ku deputetë, bartës të institucioneve dhe aktivistë të shoqërisë përplasën mendimet dhe vizionet e tyre për një rol sa më aktiv të kuvendit, shkruan Portalb.mk.
Deputeti Lupço Prenxhov, theksoi se në kuvend janë bërë disa punë që më parë nuk janë vërejtur, sidomos në fushën e gjyqësorit dhe prokurorisë.
“Kuvendi, përveç rolit legjislativ, ka edhe rol mbikëqyrës. Gjatë ditës së djeshme, për shembull, në Komisionin për Sistemin Politik, u miratua raporti i Avokatit të Popullit, ai kaloi me shumë përfundime, i diskutuam ato përfundime. Një pjesë e madhe është në proces dhe pres që për herë të parë, ajo që është thënë deklarativisht, të përfundojë dhe de facto deri në fund të vitit”, tha Prenxhov.
Zëvendëskryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Karakashova Shulev, kujtoi se komisioni do të punojë së bashku me kuvendin për të krijuar mekanizma të brendshëm për zbulimin e rreziqeve të korrupsionit, si dhe për të miratuar mekanizma specifikë, pra zgjidhje.
“Në periudhën aktuale, fokusi i Komisionit Shtetëror është gjithashtu në përgatitjen e strategjisë së re kombëtare për parandalimin e korrupsionit, e cila do të mbulojë periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2030. Këtu, përveç rolit koordinues të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, shohim një rol të rëndësishëm për Kuvendin, i cili duhet të jetë një aktor aktiv”, theksoi Karakashova Shulev.
Misha Popoviq nga Instituti Për Demokraci “Societas Civilis” porositi që për tu përmirësuar gjendja, duhet të shihen sa më shumë debate mbikqyrëse,
“Thjeshtë detyra e Kuvendit është që ajo të jetë “polic” kujdestar në një far mënyre mbi të gjitha institucionet sepse ata janë të zgjedhurit e popullit. Ata që janë në atë vend i përfaqësojnë votuesit dhe e kanë për obligim të mbajnë llogari për atë sa janë efektive dhe sa punojnë institucionet”, tha Popoviq.
Sipas Snezhana Kamillovska Tërpevska nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar, nuk duhet të habitemi me perceptimin e qytetarëve se deputetët janë ndër më të korruptuarit.
“Në Shkurt, 15 ligje, 14 me procedurë të shkurtuar. Mars, 24 ligje, 22 me procedurë të shkurtuar, Prill, 13 ligje, 9 me procedurë të shkurtuar. Kjo nënkupton se deputetët, respektivisht Kuvendi në vazhdimësi e shfrytëzon procedurën e shkurtuar që të sjell ligje të cilat mund të thuhet se janë shërbim të një garniture politike ose për apetite politike të një garniture të caktuar. Nuk duhet të habitemi me konstatimin e qytetarëve dhe raporti për përceptimin e korrupsionit nga viti 2023 ku qytetarët 80% e qytetarëve mendojnë se deputetët janë ndër më të korruptuarit në vend”, tha Kamillovska Tërpevska.
Në diskutimin që pasoi pas prezantimit të panelistëve, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile ndanë përvojat e tyre nga bashkëpunimi me parlamentin dhe organet antikorrupsion deri më sot, duke theksuar nevojën për transparencë, llogaridhënie dhe monitorim më të madh të raporteve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Zyrës Shtetërore të Auditimit. Ngjarja përfundoi me shprehjen e pritjeve për përparim në politikat antikorrupsion, me një mirëkuptim të përbashkët se lufta kundër korrupsionit mbetet thelbësore për procesin e integrimit evropian dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.
Ngjarja ishte pjesë e projektit “Inkurajimi i debatit mbi llogaridhënien dhe antikorrupsionin” i cili synon të kontribuojë në proceset reformuese në Maqedoninë e Veriut duke forcuar rolin e Parlamentit në luftën kundër korrupsionit dhe duke bërë reforma për sundimin e ligjit, duke mundësuar dialogun midis partive dhe të rinjve, si dhe midis deputetëve dhe shoqërisë civile.