Në Shkup janë shqiptuar gjoba për 211 shoferë, 70 për vozitje të shpejtë

Ministria për Punë të Brendshme (MPB) informoi se gjatë ditës së djeshme në territorin e Shkupit ka regjistruar gjithsej 211 shkelje të rregullave të trafikut, prej të cilave 70 për tejkalim të shpejtësisë, 16 për ngasje të makinës pa patentë shoferi, 21 për ngasje të makinës në gjendje të dehur, njofton Portalb.

Siç njoftojnë nga MPB-ja, janë shqiptuar dhe tre masa për përdorim të celularit gjatë vozitjes, dy për vozitës fillestarë dhe gjashtë të tjera për kalim në semafor të kuq.

Nga MPB paralajmërojnë se kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme dhe apelojnë që qytetarët t’i respektojnë dispozitat e trafikut që të rritet siguria në komunikacion.