Në Shkollën e Mesme të Policisë u pranuan 11 shqiptarë, Toshkovski: Problemi nuk është pranimi, por interesimi

Vetëm 11 shqiptarë janë pranuar në gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Policisë „7 Maji“, pas rikthimit të saj pas tre dekadash. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se problemi nuk qëndron te pranimi i kandidatëve shqiptarë, por te numri i vogël i tyre që kanë aplikuar, transmeton Portalb.mk.

Gjatë vizitës në Shkollën e Mesme të Policisë „7 Maji“, Toshkovski u dorëzoi solemnisht kontratat e shkollimit dhjetë kandidatëve të parë, ndërsa foli edhe për përfaqësimin e shqiptarëve në gjeneratën e parë të kësaj shkolle.

Sipas tij, nga gjithsej 510 kandidatë që kanë aplikuar, rreth 31 kanë qenë shqiptarë, ndërsa pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes janë pranuar 11 kandidatë shqiptarë.

“Në tërësi nga 43 të themi nga komunitetet më të vogla, mendoj se 33, ja po më korrigjojnë 31, nga ato 510 që janë paraqitur janë kandidatë shqiptarë, ky është numri i saktë, e nga ata janë pranuar 11. Nuk është problemi në pranimin por problemi është në interesimin, këtë duhet ta zgjidhim menjëherë”, tha Toshkovski.

Ministri paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të punohet për motivimin e të rinjve nga të gjitha komunitetet etnike që të aplikojnë për regjistrim në Shkollën e Mesme të Policisë.

Fillimisht ishte planifikuar që në shkollë të pranoheshin 200 nxënës, por për shkak të interesimit të madh numri u rrit për 50 përqind. Nga gjithsej 510 kandidatë, pas verifikimit të kushteve, janë pranuar 310 nxënës.

Toshkovski tha se një pjesë e kandidatëve nuk kanë arritur të plotësojnë kriteret e konkursit, ndërsa si dy nga arsyet kryesore përmendi sjelljen në shkollë dhe kriterin e gjatësisë.

„Të gjithë kandidatët që nuk kanë arritur në fazën finale dhe të bëhen pjesë e shkollës së policisë, nuk i kanë plotësuar kushtet elementare. Problemi më i madh ishte që duhet të kenë sjellje të shkëlqyeshme, shembullore. Nuk mundet që të kenë ikur nga orët mësimore dhe të jenë pjesë e shkollës së mesme policore. Te pjesa më e madhe ky ishte problemi, ndërsa problemi tjetër më i madh ishte gjatësia“, u shpreh Toshkovski.

Rikthimi i Shkollës së Mesme të Policisë „7 Maji“ vjen pas plot tri dekadash nga regjistrimi i fundit. Nxënësit e gjeneratës së parë do ta përfundojnë arsimin e mesëm me profesionin e policit, ndërsa sipas Toshkovskit, shkolla paraqet një investim të rëndësishëm për të ardhmen e policisë në vend.

Megjithatë, numri i ulët i kandidatëve shqiptarë – 31 aplikantë dhe 11 të pranuar – mbetet një nga çështjet që ministri thotë se duhet të trajtohet në të ardhmen, përmes aktiviteteve që do t’i motivojnë të rinjtë nga komunitetet e ndryshme të interesohen më shumë për këtë profesion.