Numri i ulët i shqiptarëve të pranuar në Shkollën e Policisë në Shkup ngjalli reagimet e partive
Numri i ulët i shqiptarëve të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë „7 Maji“ ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, pasi Ministria e Punëve të Brendshme publikoi listën përfundimtare me 310 nxënës të pranuar. Nga lista e publikuar dhe nga analizimi i emrave të 310 të pranuarve, numri i kandidatëve që mund të identifikohen si shqiptarë rezulton të jetë 9, raporton Portalb.mk.
Kjo ka ngritur pikëpyetje dhe reagimet e partive shqiptare në opozitë.
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, reagoi në rrjetet sociale duke shkruar:
„Prej 310 kandidatëve për policë, vetëm 9 janë shqiptarë“, ndërsa situatën e lidhi me përfaqësimin politik të shqiptarëve në pushtet.
„ME VLEN-in zbritëm nga 29% në 2.9% shqiptarë!“, shkroi Lloga.
Reagim pati edhe nga Aleanca për Shqiptarët (ASH). Partia theksoi se nga 310 nxënësit e pranuar në Shkollën e Mesme Policore „7 Maji“, vetëm 9 janë shqiptarë, duke e cilësuar këtë si më pak se 3 përqind.
„Bëhet fjalë për një shkollë që përgatit kuadrot e ardhshme të policisë dhe ku të diplomuarve u garantohet punësim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo do të thotë se përbërja e sotme e kësaj shkolle do të reflektohet drejtpërdrejt në përbërjen e policisë në vitet e ardhshme“, thuhet në reagimin e ASH-së.
Nga ASH-ja gjithashtu pretendojnë se mësimi në shkollë zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase dhe pyesin se ku është VLEN-i përballë asaj që e cilësojnë si „diskriminim flagrant“.
Partia kërkon transparencë të plotë për konkursin, përfshirë numrin e kandidatëve shqiptarë që kanë aplikuar, mënyrën e vlerësimit dhe arsyet që kanë çuar në një përfaqësim kaq të ulët të shqiptarëve.
„310 të pranuar. Vetëm 9 shqiptarë. Ky është rezultati i tyre në Qeveri“, përfundon reagimi i ASH-së.
Nga ana tjetër, BDI kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë dhe të përsëritet mbi kritere që garantojnë përfaqësim real dhe adekuat të të gjitha komuniteteve.
“Ky konkurs nuk është rast i izoluar. Ai është vetëm një tjetër dëshmi e një politike që po i përjashton shqiptarët nga institucionet e shtetit, veçanërisht nga organet e rendit dhe sigurisë. Kur një komunitet që përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë përfaqësohet me përqindje simbolike në polici, atëherë nuk kemi të bëjmë me një dështim të zakonshëm të një konkursi, por me mungesë të mekanizmave dhe vullnetit për të garantuar përfaqësim të drejtë”, thonë nga BDI.
Ndërkohë, Liridon Disha nga BDI ka reaguar duke publikuar listën e të pranuarve dhe duke ngritur pikëpyetje për përfaqësimin e shqiptarëve. Ai veçanërisht e ka vënë në dukje numrin e të pranuarve nga Tetova.
„Shihni sa shqiptarë ka. Imagjinoni prej Tetove ka vetëm 5 veta, prej të cilëve ASNJË SHQIPTAR“, ka shkruar Disha.
Ai e ka kritikuar edhe kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke shkruar: „Në ndërkohë Bilall Kasami le të vazhdojë të shesë pordha për përfaqësimin e Tetovës në rang kombëtar. TURP!“