Iseni: Interesimi i shqiptarëve për Shkollën e Policisë ishte i ulët

Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe jo të shfrytëzohet për përfitime politike, thotë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, pas reagimeve të opozitës për përfaqësimin e shqiptarëve në Shkollën e Mesme Policore “7 Maji”. Iseni nuk tregon se sa kandidatë shqiptarë ka pasur në konkurs, por thotë se numri i kandidatëve shqiptarë të interesuar ka qenë shumë i ulët, transmeton Portalb.mk.

“Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë është përgjegjësi që e marrim seriozisht. Për këtë arsye, çdo proces që ndikon në përfaqësimin e shqiptarëve duhet të trajtohet me transparencë, përgjegjësi dhe mbi bazën e fakteve, e jo të shfrytëzohet për përfitime politike. Pas 26 vitesh, Akademia Policore po rikthehet. Që nga fillimi, ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme që sa më shumë të rinj shqiptarë të aplikojnë dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Por sot duhet të flasim me fakte, jo me propagandë. Interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë afër pritshmërive tona. Edhe nga ata që kanë aplikuar, një numër nuk janë paraqitur në fazën e testimit, duke u tërhequr faktikisht nga gara. Prandaj, është e pandershme politikisht të thuhet se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa treguar sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë plotësuar kriteret e përcaktuara. Ne nuk do të lejojmë që një proces institucional të shfrytëzohet për të krijuar ndjenjën e përjashtimit te qytetari shqiptarë. Luftojmë për përfaqësim real, mundësi të barabarta dhe qasje të drejtë në çdo institucion. BDI-së i them: Mos e përdorni interesin e shqiptarëve për politikë ditor”, ka shkruar Iseni.

Ndryshe, opozita ka reaguar sot paraprakisht nga ku thonë se nga gjithsej 310 nxënës të pranuar në këtë shkollë, vetëm 9 janë shqiptarë, që përbën më pak se 3 përqind.

MPB dje publikoi listën e nxënësve të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë dhe shqiptarëve të pranuar lë shumë për të dëshiruar. Nga lista e publikuar nga analizimi i emrave të 310 të pranuarve, numri i kandidatëve që mund të identifikohen si shqiptarë rezulton të jetë vetëm 9.