Në RMV vitin e kaluar janë regjistruar 83 raste të reja të hepatitit, më i zakonshmi hepatiti B

Sot, me rastin e Ditës Botërore të Hepatitit, ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në partneritet me Qendrën Hepar Manastir organizuan një ngjarje për ngritjen e vetëdijes së popullatës për sëmundjen Hepatit, raporton Portalb.mk.

Në ngjarjen e organizuar sot në partneritet me Qendrën Hepar Manastir, të pranishëm ishin drejtorët e klinikave ku trajtohen pacientët me hepatit dhe u ngrit një njësi e lëvizshme për testim të hepatitit.

ambulantë, mjek, shëndet
Test i shpejtë në ambulantë. Foto nga faqja zyrtare në Facebook e Ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë

“Rritja e ndërgjegjësimit për hepatitin është ajo ku do të përqendrohemi sot. Shumë njerëz mund të jetojnë me hepatit, por ata nuk e dinë për të, nëpërmjet dhënies së informacionit dhe aktiviteteve në dispozicion në terren ne mund të inkurajojmë individët për të mbrojtur veten dhe të dashurit e tyre nga ky “armik i qetë”.”, shkruan Fatmir Mexhiti, ministër i Ministrisë së Shëndetësisë.

Në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar janë regjistruar 83 raste të reja të hepatitit, nga të cilat më i zakonshmi është hepatiti B me 43 raste. Kjo ka dëshmuar se është koha për një strategji globale për eliminimin e hepatitit deri në vitin 2030. Mexhiti tha se ministria do të vazhdojë të punojë me përkushtim për ta bërë hepatitin të ngelë në të kaluarën tonë.