Most: Është koha për t’iu kundërvënë propagandës, ndikimit dhe dezinformimit rus në Maqedoninë e Veriut

Në kuadër të programit “Lufta kundër lajmeve dhe narracioneve të rrejshme”, Asociacioni Qytetar MOST sot prezantoi studimin për propagandën, ndikimin dhe dezinformimin rus “Një vit nga agresioni rus kundër Ukrainës“. Studimi është realizuar gjatë viteve 2022 dhe 2023 dhe i referohet periudhës mars 2022 – shkurt 2023.

Sipas autores së studimit, Rosana Aleksoska, propaganda, ndikimi dhe dezinformimi rus në Maqedoninë e Veriut është në shkallë të gjerë, me shumë kanale, përsëritëse dhe me mungesë objektiviteti. Studimi më tej konfirmon se operacionet e ndikimit rus synojnë të nxisin përçarjet në shoqëri, të minojnë besimin në institucionet dhe mediat dhe të shkaktojnë ankth tek qytetarët, shtoi ajo.

“Studimi zbuloi transmetimin masiv dhe praninë e përfaqësuesve të Kremlinit në hapësirën online në Maqedoninë e Veriut, përdorimin e mediave të kontrolluara nga shteti rus si burime në artikuj, mesazhe pro-ruse nga politikanë nga rajoni dhe më gjerë, të cilët janë aleatë rusë, si dhe më shumë raste të shpërndarjes masive të koordinuar të përmbajtjes në Facebook përmes një infrastrukture pro- ruse të vendosur dhe të mirëkoordinuar, theksoi Aleksoska.

Sipas Aleksoskas, ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut është gjithashtu në përputhje me konceptin e “fuqisë së mprehtë” (sharp power), veçanërisht përmes promovimit të vëllazërisë sllavo-ortodokse dhe përdorimit të kishës. Ndikimi rus e tërheq popullsinë në këtë koncept dhe implikon se nuk kemi asgjë të përbashkët me botën perëndimore. Kjo është një nga mënyrat përmes së cilës nxitet rezistencë ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky narracion u promovua përmes vizitave të figurave fetare dhe shërbimeve të përbashkëta fetare, gjë që paraqet shembull të përsosur të një operacioni të informacionit.

“Përdorimi i gjuhës dhe frazave të sakta kur raportohet për luftën është një veçori thelbësore për të luftuar propagandën, ndikimin dhe dezinformimin. Duket sikur një numër i madh portalesh thjesht transmetojnë zyrtarë rusë ose media të kontrolluara nga Rusia, pavarësisht se ata kryesisht gënjejnë. Me këtë mediat i mbështesin përpjekjet ruse dhe i përforcojnë mesazhet që përdorin fraza dhe gjuhë që krijojnë konfuzione dhe perceptime të gabuara të cilat kontribuojnë për t’i bërë narracionet dhe propagandën ruse më të pëlqyeshme nga njëra anë, dhe audiencën më të ndjeshme ndaj tyre nga ana tjetër. Mediat duhet të jenë të vetëdijshme se fjalët janë një armë në duart e Kremlinit për përhapjen e dezinformatave – shtoi Aleksoska.

Resana Aleksoska "Most", prezantimi i hulumtimit. Foto: Portalb.mk
Resana Aleksoska “Most”, prezantimi i hulumtimit. Foto: Portalb.mk

Pretendimet e rreme se Perëndimi është armiku kryesor i botës sllave dhe ortodokse morrën shumë interaksione, duke i targetuar lidhjet e elektrizuara emocionalisht fetare dhe kulturore të perceptuara midis Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë dhe duke shfrytëzuar historinë komplekse multietnike të rajonit. Narracionet e këtilla shkaktojnë përçarje në Maqedoninë e Veriut multietnike dhe në Ballkan në përgjithësi, thuhet në studim.

Sipas Aleksoska, studimi tregon se ekzistojnë rrjete të mirë-zhvilluara dhe të mirë- koordinuara në Facebook të cilat e përforcojnë propagandën ruse, dezinformimin dhe manipulimin e informacioneve. Këto rrjete proklamojnë ideologjinë e të së djathtës ekstreme dhe nacionaliste, duke kontribuar kështu në promovimin e përmbajtjes nacionaliste, ksenofobike dhe joliberale е cila krijon përçarje. Një shpërndarje masive e tillë e koordinuar i manipulon algoritmet e rrjeteve sociale dhe mund të kontribuojë në një situatë në të cilën narracionet ngrihen më lart në agjendën sociale, dhe në disa raste të caktuara arrijnë edhe deri te mediat kryesore (mainstream media), shton Aleksoska.

“Një nga rastet e tilla të paraqitura në studim është lideri çeçen Kadirov, deklaratat e të cilit ishin të pranishme gjatë gjithë periudhës së analizuar. Transmetimi i Kadirov mund të flasë edhe për aspektin e ofertës dhe kërkesës në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut, që paraqet problem dhe sfidë shumë të madhe për shoqërinë. Janë vërejtur edhe raste të tjera të diseminimit masiv, të cilat i amplifikonin posaçërisht mesazhet e ambasadorit rus në Maqedoninë e Veriut, Bazdnikin dhe presidentit serb Vuçiq, shton Aleksoska.

Duket sikur Serbia me presidentin e saj Vuçiq është një aleat i vërtetë rus në rajon dhe i përforcon narracionet dezinformuese ruse dhe manipulimin me informacionet, ndërsa mediat/portalet pro-qeveritare dhe pro-ruse serbe shërbejnë si burime të dezinformatave të tilla, të cilat i marrin nga mediat e kontrolluara nga shteti rus, theksoi Aleksoska.

Kjo shoqëri ka nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse ndërsektoriale në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave demokratike, në mënyrë që qytetarëve t’u përafrohet koncepti se Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, dhe me këtë vendi dhe përkatësia e saj është me botën perëndimore, demokratike dhe të lirë. Ndërsa me ndërsektorial, nënkuptoj politikën, sektorin privat, mediat, shoqërinë civile dhe akademinë, përfundoi Aleksoska.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni: KËTU.