Në RMV u zbulua mashtrim doganor me importe të mishit në vlerë prej 7 milionë denarësh
Inspektorët doganorë pranë Sektorit për kontroll dhe hetime, gjatë kontrollit të 21 importeve të mishit nga një importues, zbuluan mashtrim doganor në vlerë prej shtatë milionë denarësh, transmeton Portalb.mk.
Nga Drejtoria e Doganave informojnë se kontrolli shtesë i dokumenteve doganore të paraqitura, si dhe analizat laboratorike, treguan se mishi ishte deklaruar me kod tarifor të gabuar me normë doganore më të ulët, në vend të kodit tarifor përkatës me normë më të lartë.
Siç sqaruan nga atje, kundër personave përgjegjës është paraqitur kallëzim penal për mashtrim doganor dhe janë marrë vendime për pagesë shtesë të detyrimeve të shmangura në vlerë prej shtatë milionë denarësh.
Ndryshe, dje, në hyrje të vendit, në pikën kufitare Qafë-Thanë, doganierët zbuluan 21 kilogramë troftë të freskët të fshehur në hapësirën për gomën rezervë të një automjeti me të cilin udhëtonte një shtetas i Shqipërisë.