Çështja e deponisë së mbeturinave në Strugë para Gjykatës së Strasburgut

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka pranuar kërkesën e paraqitur në lidhje me deponinë ilegale të Strugës, njoftoi zyra e avokatëve Stojkoski & Qatoski. Avokatët nga Struga, së bashku me Shoqatën e Avokatëve të Rinj, e paraqitën kërkesën në maj, pasi gjykatat vendase u shpallën jokompetente, transmeton Portalb.mk.

“Kjo do të thotë që Strasburgu do të diskutojë një nga problemet më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore në Strugë, një deponi e vendosur vetëm 500 metra nga shtëpitë e para, pranë lumit Drini i Zi dhe dy kilometra nga Liqeni i Ohrit – një vend i trashëgimisë natyrore botërore”, informuan nga zyra e avokatëve.

Deponia, thonë ata, ndot me mbi 40,000 ton mbeturina në vit, pa asnjë kontroll mbi llojin e mbeturinave. Në procedurat gjyqësore, ata kërkojnë të vërtetojnë shkelje të së drejtës për qasje në gjykatë (Neni 6 i Konventës Evropiane), shkelje të së drejtës për jetë private dhe familjare, si dhe shkelje të së drejtës për mjet juridik efektiv.