Petliçkovski: Kemi 56 raste me kollën e keqe, gjendja nuk është stabile, por është nën kontroll

Situata me kollën e keqe është nën kontroll, edhe pse nuk është stabile, sepse ka rritje të rasteve të konfirmuara, nga sot janë gjithsej 56. Këtë e ka bërë të ditur sot kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, Aleksandar Petliçkovski. Nga numri total i të infektuarve, 46 janë nga kryeqytet, 14 janë fëmijë nën një vjeç dhe 9 janë fëmijë nga 1 deri në 4 vjeç, transmeton Portalb.mk.

“16 nga të sëmurët janë të pavaksinuar, 12 janë jo të vaksinuar plotësisht. Tani ka edhe adoleshentë, fëmijë nga 10 deri në 14 vjeç. Presim rritje të numrit të rasteve edhe te të moshuarit. Shqetësimi ynë më i madh është parandalimi i përhapjes së infeksionit tekfëmijët, sepse ata janë më të rrezikuarit”, tha Petliçkovski.

Ai theksoi se vlen rekomandimi për vaksinim.

Ai bëri të ditur se deri më 14 shkurt në vend janë vaksinuar 13.000 fëmijë, që është përgjigje solide, por siç tha ai, puna nuk ka përfunduar sepse ka edhe disa mijëra fëmijë që duhet të vaksinohen.

Ai informon se janë përgatitur udhëzimet për sjellje dhe procedura në kushte epidemike, të cilat duhet të publikohen deri në fund të javës.

“Në ditët në vijim presim të bëjmë vlerësimin e laboratorëve që i plotësojnë kushtet për testimin e pertusisit, si dhe të caktojmë një laborator shtetëror referues, në të cilin do të konfirmohen rastet e pertusisit”, shtoi Petliçkovski.

Personat e rritur të infektuar janë deri në 49 vjeç. Sëmundja për të rriturit nuk është serioze dhe ka kurë për të dhe nuk ka nevojë për frikë. Të rriturit si bartës janë të rrezikshëm për fëmijët e vegjël, prandaj anëtarët e Komisionit për Sëmundje Infektive rekomandojnë mbrojtjen e tyre – me kimioprofilaksë (antibiotikë) dhe vaksinë.

“Aktualisht nuk ka vaksina për të rriturit, por është çështje dite se kur do t’i kemi. Nga java e ardhshme do të mund të llogarisim në këto doza. Vaksinat sigurojnë imunitet që zgjat 5 deri në 10 vjet solid. Të rriturit nuk kanë nevojë të marrin doza përforcuese. Të rriturit që kanë fëmijë të vegjël nën 1 vjeç në shtëpi duhet ta kenë këtë dozë për të mos u transmetuar sëmundjen. Vaksinat janë falas për të gjithë, askush nuk paguan për to, sidomos në kushtet e epidemisë dhe rrezikimit të shëndetit publik”, shtoi Petliçkovski.

Zëdhënësi i Komisionit për sëmundje infektive, Zllate Mehmedoviq, tha se në rajon kemi numër të madh të sëmundjeve infektive.

“Në Rumani janë raportuar numër i madh i rasteve të fruthit dhe situata po përshkallëzohet edhe në Shqipëri. Kjo është arsyeja për të thënë edhe një herë se prindërit duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe të vaksinojnë fëmijët e tyre sepse është parim bazë i mbrojtjes. Asgjë nuk do të ndodhë nëse të gjithë fëmijët vaksinohen”, theksoi Mehmedoviq.

Popullata mund të mbrohet nga kolla e keqe vetëm me vaksinën DiTePer.