Në Novac filloi me punë centrali më i madh fotovoltaik në Ballkan

Sot është hapur zyrtarisht centrali privat fotovoltaik “FEC Novac”, i cili aktualisht është më i madhi në Ballkan. Me kapacitet total prej 55 megavatësh, parashikohet të prodhohen 85 mijë megavat orë energji elektrike në vit, që sipas Qeverisë është “rrymë që mjafton për të plotësuar nevojat e 30 mijë familjeve”, transmeton Portalb.mk.

Në hapjen e “FEC Novac” foli kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili theksoi se në zbatimin e kontratës së gjelbër, qeveria ka arritur të instalojë një numër të madh të centraleve për burimet e ripërtëritshme të energjisë.

“Me këto politika strategjike ne mundësojmë në afat të gjatë parashikueshmërinë në zhvillimin e ekonomisë dhe pavarësinë energjetike të shtetit. I kemi potencialet natyrore: ujë, erë, mbi 280 ditë me diell çdo vit, që është mbi mesataren evropiane, prandaj kemi filluar të krijojmë një Qendër për Energjinë e Gjelbër në Evropë nga shteti”, tha kryeministri Kovaçevski.

Panele diellore, centrali privat fotovoltaik “FEC Novac”. Foto: Qeveria e RMV-së
Panele diellore, centrali privat fotovoltaik “FEC Novac”. Foto: Qeveria e RMV-së

Ai bëri një krahasim me vitin 2016, kur tha se në vend janë instaluar 16 megavat burime të rinovueshme të energjisë, ndërsa Qeveria e udhëhequr prej tij nga janari i vitit 2022 deri më sot ka instaluar 450 megavat burime të rinovueshme. Kryeministri njoftoi se deri në fund të vitit do të instalohen dhe futen në rrjet 600 megavat burime të ripërtëritshme të energjisë, që është më shumë se kapaciteti i gjithë REK Manastiri.

Kovaçevski shtoi se Maqedonia e Veriut ka një plan ambicioz për kalimin në teknologji të pastra dhe braktisjen e prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri, i cili aktualisht është më i përhapuri, përmes konceptit të investimeve strategjike.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjatë hapjes ceremoniale të FEC “Novac”, bëri të ditur se Komisioni Rregullator pë Energjetikë ka lëshuar licencat për termocentrale shtesë diellore, në mënyrë që deri në fund të vitit vendi ynë të ketë një kapacitet të instaluar prej 550 megavat-orëshe, që do të mbulojë nevojat për energji elektrike për 270 mijë familje në vend.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, tha se ndërtimi i këtij centrali është nxitur nga masat e ndërmarra nga Qeveria në vitet e fundit, duke krijuar kushte për kalimin në tranzicion energjetik.

Investitor i FEC “Novac” si projekt energjetik për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme është kompania vendase “MEJ Energy”, aktiviteti i së cilës është prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Nga pikëpamja ekonomike, impianti fotovoltaik përfaqëson një investim me vlerë 40 milionë euro.

Kujtojmë se në muajin maj, 63.2 përqind e energjisë elektrike është prodhuar nga termocentralet, 32.3 % nga hidrocentralet, ndërsa nga turbinat e erës 2.4 %, panelet solare 0.6 %, 1.2 % nga biogazi dhe një sasi e vogël nga centralet e kombinuara.

Brenda një muaji, Maqedonia e Veriut shfrytëzoi 494 264 MWh energji elektrike dhe 453 774 ton qymyr, duke marrë parasysh që 98.3 përqind e qymyrit shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike.