Në Misllodezhdë të Strugës, pushteti lokal nuk i ka realizuar premtimet elektorale
Ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve të fshatit si dhe ndërtimi i rrugës që lidh fshatrat Bogovic-Brçev-Poum janë dy premtime të cilat kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramiz Merko i bëri para votuesve të fshatit Misllodezhdë gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Megjithatë kanë kaluar thuajse dy vite nga marrja e mandatit, dhe duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe informacionet që siguruam, Portalb.mk konkludon se këto premtime nuk janë realizuar, shkruan Portalb.mk.
Programi zgjedhor “Agjenda e Blertë” 2021-2025 i mundësoi edhe një mandatat në krye të Komunës së Strugës kandidatit të BDI-së Ramiz Merko, gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021. Në këtë program, kategoria e investimeve të parapara nëpër fshatra (faqe 63), janë paraqitur edhe 2 premtime për fshatin Misllodezhdë: ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve të fshatit dhe ndërtimi i rrugës që lidh fshatrat Bogovic-Brçev-Poum. Për premtimet e dhëna elektoratit nuk i jepet asnjë informacion më shumë si për shembull: buxheti i paraparë për projektin përkatës, mënyra e financimit, fazat e punimeve, etj. Përveç mungesës së informacioneve të detajshme në programin zgjedhor vërehen dhe lëshime teknike, si për shembull ngatërrimi i emrit të fshatit të cilit i referohen premtimet. Në shqip emri i fshatit në fjalë është paraqitur si Misleshovë ndërsa në maqedonisht figuron emri i fshatit Misllodezhdë.

Gjatë muajit gusht të këtij viti në fshatin Misllodezhdë u bë asfaltimi i një segmenti rrugor që lehtëson lëvizjen e banorëve. Projekti u realizua me iniciativë të Bashkësisë lokale të cilët kishin mbledhur 30 000 euro nga donacionet e bashkëfshatarëve mërgimtarë, me të cilat u realizua e gjithë puna për çeljen e rrugës duke filluar nga pastrimi i vendit deri te tamponimi ndërsa shteti ndihmi vetëm në shtrimin e asfaltit. Një gjest që bëri mjaftë bujë në ambientin lokal ishte se disa persona hoqën dorë vullnetarisht nga toka e tyre me qëllim që të ndërtohet rruga dhe të lehtësohet lëvizja e banorëve të këtij fshati.
“Sot u përmbush edhe një kërkesë e nevojshme e banorëve të pjesës së Malësisë, më konkretisht për aksin rrugor që të shpie në Misllodezhdë, me iniciativë të Kryetarit të Bashkësisë Lokale të këtij vendbanimin. Ky segment i asfaltuar kap gjatësinë prej 300 metrave, i hapur rishtazi që të mundësohet sa më lehtë të kalohet kjo rrugë, sidomos në sezonin e dimrit nga vendbanimi për në Strugë dhe anasjelltas. Me iniciativë të bashkësisë lokale u realizua e tërë puna e hapjes së rrugës, duke nisur nga rrëmimi e deri në tamponim ka qenë nën financat e bashkësisë lokale. Njëherit, i falënderojmë edhe disa persona fizikë që lejuan pjesë të pronave të tyre private për këtë qëllim. Pjesa tjetër, prej te tamponimi final, shtypja dhe asfaltimi, është angazhimi dhe ndikimi direkt i Komunës së Strugës, që përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore me autorizim të Makedonija Pat të ndërtohet ky segment rrugor”, njoftuan nga Komuna e Strugës.

Portalb.mk, duke u bazuar në situatën në terren dhe dëshmitë e banorëve lokal konkludon se në fshatin Misllodezhdë deri më sot nuk është ndërtuar rruga që lidh fshatrat Bogovic-Brçev-Poum e as janë ndërtuar dhe zgjeruar rrugët brenda fshatit. Dy premtime elektorale në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë” 2021-2025, për fshatin Misllodezhdë, nga kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramis Merko.
BURIMI:
- Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 63, verifikuar më 28.09.2023
- Llogaria zyrtare e Komunës së Strugës në Facebook, verifikuar më 02.10.2023