Në Liqenin e Ohrit janë gjetur 4.000 metra rrjeta të paligjshme peshkimi me mbi 100 kilogramë peshk koran

Në pjesën ndërmjet fshatrave struganë Kalishtë dhe Radozhdë janë gjetur 20 të ashtuquajtura rrjeta të varura të peshkimit, përdorimi i të cilave për kapjen e peshkut është rreptësisht i ndaluar. Rrjetat kanë një gjatësi totale prej rreth 4.000 metrash, ndërsa në to janë kapur 872 copë peshk koran i Ohrit, me peshë totale prej 116,9 kilogramësh, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

Kontrolli aksional është kryer nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje Kufitare “Liqeni i Ohrit” dhe lidhet me veprën penale peshkim i paligjshëm, si dhe me gjetjen e rrjetave të peshkimit dhe mjeteve të tjera për peshkim.

“Me udhëzim të prokurorit publik, zyrtarët policorë të policisë së liqenit dhe të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Perëndim i kanë nxjerrë nga liqeni rrjetat e peshkimit së bashku me peshkun e zënë. Për rastin është njoftuar edhe Inspektorati kompetent i Peshkimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në periudhën e ardhshme, sipas njoftimeve, policia kufitare do të vazhdojë me kontrolle të përforcuara aksionale me qëllim parandalimin e peshkimit të paligjshëm, identifikimin e personave që kryejnë këtë vepër penale dhe mbrojtjen e fondit të peshkut në Liqenin e Ohrit.

Nga rrjeta e peshkimit dhe peshku i Ohrit e sekuestruar / Foto: Ministria e Brendshme
Nga rrjeta e peshkimit dhe peshku i Ohrit e sekuestruar / Foto: Ministria e Brendshme