Vijon festivali KU-FEST 2026, sonte në skenë “Xhaxhi Tufa”
Në Kumanovë po mbahet festivali teatror KU-FEST 2026, i cili deri më 5 shtator po sjell para publikut shfaqje nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia dhe Bullgaria, shkruan Portalb.mk.
Festivali nisi më 31 gusht me Teatrin Shqiptar Shkup dhe shfaqjen “Rinoqerontët”, ndërsa mbrëmë u prezantua bashkëprodhimi i Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” dhe Teatrit të Qytetit të Preshevës me shfaqjen “Vetmi në Perëndim”.
Sonte, në skenën e KU-FEST-it do të ngjitet Teatri i Kumanovës-Drama Maqedone me shfaqjen “Xhaxhi Tufa”, me autor Sashko Nasev dhe regji të Jani Bojaxhi.
Programi vazhdon më 3 shtator me Teatrin e Qytetit të Qustendilit nga Bullgaria dhe shfaqjen “Album familjar”, ndërsa më 4 shtator para publikut do të prezantohet Teatri i Qytetit të Gjilanit me shfaqjen “Nëna”.

KU-FEST 2026 do të përmbyllet më 5 shtator me shfaqjen “Njeriu jastëk” të Teatrit të Kumanovës-Drama Shqipe, e cila do të luhet jashtë konkurrencës. Po atë mbrëmje, në orën 21:00, do të bëhet edhe ndarja e çmimeve.
Në edicionin e tretë të KU-FEST do të ndahen gjithsej shtatë çmime, përmes të cilave do të vlerësohen shfaqjet dhe artistët më të spikatur të festivalit:
- Çmimi për Shfaqjen më të Mirë
- Çmimi për Regjinë më të Mirë
- Çmimi për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor
- Çmimi për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë në Rol Kryesor
- Çmimi për Aktorin më të Mirë të Festivali që është edhe çmimi Special “Sefedin Nuredini”
Për vlerësimin e shfaqjeve do të kujdeset një juri profesionale, e përbërë nga personalitete të njohura të medias dhe artit skenik: Leunora Kaliqi, kryeredaktore dhe redaktore përgjegjëse e RTM2; Zejadin Murtezi, aktor; dhe Robert Ristov, aktor, regjisor dhe producent.
KU-FEST synon që edhe përmes këtij edicioni të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe të ofrojë për publikun e Kumanovës një program cilësor, me teatër, muzikë dhe aktivitete edukative për të gjitha gjeneratat.
