Në Kumanovë do të mbahet edicioni i 33-të i manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”
Të dielën me (9 mars) në Sallën solemne të Komunës së Kumanovës,me fillim nga ora 15:00 organizohet edicioni i 33-të me radhë i manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, transmeton Portalb.mk.
Ky manifestim organizohet për nderë të kujtimit të demonstratave të ’81-shit të studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Sunaj Raimi kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” Kumanovë për Portalb.mk tha se në këtë edicion do të prezantohen poetë nga gjitha trevat shqiptare.
“Në edicionin e 33-të të TPK, që do mbahet në Kumanovë, do të lexohen poezi nga poetë e poetesha nga të gjitha trevat shqiptare, duke filluar nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e deri edhe nga Greqia”. Në këtë manifestim kulturor parashihet të marrin pjesë rreth 30 krijues, të cilët do të garojnë për 3 poezitë më të mira, qe do të përzgjidhen nga juria profesionale. Sikur çdo vjet, edhe sivjet kemi planifikuar të ndahen 3 çmimet për poezitë më të bukura, si dhe një çmim special për ndonjë krijues më karakterstik”, tha Raimi.
Raim edhe më tej shtoi se pjesë e manifestimit do të ketë edhe disa pika instrumentale.
“Sigurisht se përveç skemës se zakonshme të manifestimit, ku paraqiten krijues me zhanret e ndryshme letrate- poetike, do të ketë edhe pika instrumentale që do ta zbukurojnë orën poetike, si dhe performime artistike të disa aktorëve nga Përmeti i Shqipërisë, që do të përgatiten enkas për publikun e këtij manifestimi”, tha Raimi.
Raimi apeloi deri tek artdashësit që të jenë pjesë e këtij aktiviteti kulturor.
“Të gjithë dashamirët e fjalës së bukur i mirëpresim në manifestimin tonë poetik, sepse në kohën e sotme me shumë stres, veç poezia e zbutë dhe e fisnikëron shpirtin e trazuar njerëzor”.
Aktiviteti “Takimet Poetike të Karadakut” përkrahet financiarisht nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës së RMV-së dhe Komuna e Kumanovës.