Në kufijtë e konfliktit

Rajoni që historikisht është përcjellë me konflikte dhe tensione ndëretnike ndodhet në qendër të shqetësimit ndërkombëtar pas rikthimit të kërcënimeve me luftë mes Kosovës dhe Serbisë. Me gjithë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve, armiqësitë e vjetra nuk janë zhdukur dhe ato vazhdojnë të shkaktojnë polarizim e frikë për ndezje të dhunës në zemër të Evropës, shkruan Sbunker.

Situata po nxitet përmes retorikës nacionaliste, e cila është po aq e fortë si në periudhën kur rajoni u përshkua nga luftëra të përgjakshme. Në Serbi, retorika nacionaliste vazhdon ta paraqesë Kosovën si pjesë integrale të identitetit dhe historisë serbe. Çdo kompromis në lidhje me Kosovën atje shihet tradhti e interesave kombëtarë dhe dorëzim përballë Perëndimit, i cili akuzohet sa herë që përkujtohen ngjarje historike, siç ishte përvjetori i 25-të i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Lidershipi në Serbi ka kapitalizuar këto ndjenja për të rritur mbështetjen brenda dhe betonuar qëndrimin e saj rreth çështjes së Kosovës.

Madje, një deklaratë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar”, duke aluduar në një pushtim të Kosovës, u pa si kërcënim direkt ndaj sovranitetit të Kosovës. Serbia po e bën këtë duke përforcuar narracionin se ekzistenca e serbëve është në rrezik si pasojë e fushatës së Prishtinës zyrtare për spastrim etnik.

Në linjë me këtë, Serbia e afroi sërish ushtrinë përgjatë brezit kufitar. Vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut, janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Pamjet i publikoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që tha se “Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta, të cilat po përdoren si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme”.

Kosova nuk mund ta dërgojë ushtrinë në pjesën veriore pa lejen e posaçme të Komandantit të KFOR-it, sipas një marrëveshjeje që e pati nënshkruar ish-kryeministri Hashim Thaçi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Për këtë arsye, prezenca e njësive të NATO-s në atë pjesë është thelbësore. Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kjo forcë shtoi trupat dhe rriti patrullimet në veri.

Një ndërhyrje eventuale e ushtrisë serbe do të nënkuptonte ballafaqim me NATO-n. Këtë paralajmërim e dha Ndihmëssekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, James O’Brien, që tha se “Vuçiqi e di mirë se ndërhyrja në Kosovë do t’i vinte në rrezik ushtarët e KFOR-it, që janë këtu për mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare”.

Misioni paqeruajtës i NATO-s mbetet parandaluesi kryesor karshi një konflikti të drejtpërdrejtë. Mosveprimi përballë agresionit serb do të minonte besueshmërinë e NATO-s, prania e së cilës nuk kontestohet as nga shqiptarët, as nga serbët.

Si rrallëherë që prej shpalljes së pavarësisë, KFOR-i u përfshi në menaxhimin e situatës në veri pas përleshjeve që shpërthyen vitin e kaluar mes policisë së Kosovës dhe serbëve, të cilët kundërshtuan vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale që deri para 23 prillit të 2023-tës menaxhoheshin nga Lista Serbe. Kjo situatë shkaktoi një valë shqetësimi në rajon dhe më gjerë, pasi Serbia edhe atëherë i vuri trupat ushtarakë në gatishmëri të lartë duke kërcënuar me ndërhyrje në emër të mbrojtjes së serbëve të Kosovës.

Mbështetja e Rusisë për Serbinë i shton shtresë kompleksitetit të situatës. Moska e mbështet hapur Serbinë në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe përdor lidhjet e saj me autoritetet serbe për të forcuar ndikimin në rajon. Përpjekjet e Rusisë për të shfrytëzuar tensionet ekzistuese dhe destabilizuar rajonin janë gjithnjë e më të dukshme.

Në këtë kontekst, propaganda dhe dezinformatat po përdoren për të përhapur frikë dhe urrejtje. Rrjetet sociale dhe kanalet televizive janë shndërruar në platforma për të përforcuar narrativat nacionaliste dhe demonizuar kundërshtarët politikë.

Ndërsa fuqitë perëndimore kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, gjithashtu kanë bërë thirrje për ndalje të retorikës nxitëse dhe për dialog konstruktiv. Si Serbia, ashtu edhe Kosova, aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, rrugëtim që varet nga zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve.

Por në dialogun që po ndërmjetësohet nga Brukseli, përparimi ka qenë i ngadalshëm dhe palët ende janë larg marrëveshjes e cila supozohet të jetë finale dhe për normalizim të marrëdhënieve.

Prandaj, një qasje e shumanshme është thelbësore për të shtensionuar situatën, në kohën kur palët ndodhen në një cikël të thellë mosbesimi.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet të garantojë në mënyrë demonstrative sigurinë dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë. Mekanizmi përmes të cilit synohet avancimi i këtyre të drejtave është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin, qeveritë e deritashme përfshirë aktualen, kanë dhënë zotime ta përmbushin obligimin që i përshkruhet Kosovës prej vitit 2013.

Duke ofruar shpërblim të prekshëm, BE-ja mund t’i nxisë palët që të shkojnë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme, e cila për momentin nuk duket në horizont.

Qeveria e Kosovës në disa raste konfirmoi se nuk i beson as BE-së si ndërmjetësuese në dialog, duke e akuzuar për anshmëri në këtë proces. Kritika ka të bëjë me atë se Marrëveshja Bazë është reduktuar në insistimin e Serbisë për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Përçarja BE-Qeveri u thellua edhe për shkak të masave sanksionuese që Brukseli vazhdon t’i mbajë në fuqi ndaj Kosovës, pavarësisht insistimit të qeveritarëve se me largimin e njësive speciale nga objektet komunale dhe pajtimin për zgjedhjet e reja për kryetarë komunash që janë në proces, janë përmbushur hapat e kërkuar për shtensionim të situatës në veri.

Por, me vendimet që pasuan pas dakordimit të Bratislavës, siç ishin shpronësimet dhe miratimi i rregullores që ndalon përdorimin e dinarit serb si mjet pagese, vetëm sa u thellua mosbesimi i Perëndimit ndaj Qeverisë. Duke qenë kështu, masat mund të konsiderohen si mjet presioni për të parandaluar çfarëdo tensionimi tjetër të situatës në veri.