Në Kosovë u paralajmëruan përmbytje

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mundësi përmbytjesh gjatë së shtunës pasdite dhe të dielës, për shkak të reshjeve të pritshme të shiut, transmeton Portalb.mk.

Përmes një njoftimi, Instituti tha se alarmi është ngritur në nivel të verdhë, që nënkupton mot potencialisht të rrezikshëm. 

Edhe pse nivelet e lumenjve aktualisht janë në rënie pas përmbytjeve, pritet që ato të rriten sërish.

Reshjet pritet të përfshijnë zonat lindore, verilindore, qendrore dhe jugore. 

Ky pralajmërim vjen pasi Prishtina ndërpreu mësimin të martën për shkak të shiut të madh dhe rrezikut nga përmbytjet.

Të hënën dhe të martën u raportuan vërshime të vogla pa dëme të mëdha. 

Kosova ka përjetuar përmbytje edhe vitet e fundit, të lidhura kryesisht me dëmtimin e shtratit të lumenjve nga nxjerrjet e paligjshme të zhavorrit. 

Ndryshe, reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në Maqedoninë e Veriut.