Për liderët perëndimorë plani amerikan është bazë për paqe, por ka nevojë për më shumë punë

Liderët evropianë dhe perëndimorë thanë se plani amerikan për paqe është bazë për negociata, por kërkon “punë shtesë”. Ata po kërkojnë një marrëveshje më të mirë për Kievin deri të enjten, transmeton Portalb.mk

Në margjinat e samitit të G20 ës, liderët u përpoqën të hartonin një përgjigje të përbashkët ndaj kërkesës së presidentit amerikan, Donald Trump, që Ukraina ta pranojë deri të enjten planin 28-pikësh

Plani i SHBA-ve, që mbështet disa kërkesa të Rusisë, u prit me rezervë në kryeqytetet evropiane, pasi disa kushte konsiderohen të papranueshme për Kievin. 

“Drafti fillestar i planit me 28 pika përfshin elemente të rëndësishme që do të jenë thelbësorë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, deklaruan liderët e BE-së, Britanisë, Kanadasë, Japonisë dhe Norvegjisë. 

Takimi u mbajt pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se vendi i tij përballet me zgjedhjen midis dinjitetit dhe lirisë ose mbështetjes së Uashingtonit. 

“Ukraina kurrë nuk do të jetë pengesë për paqen, dhe përfaqësuesit e shtetit ukrainas do të mbrojnë interesat legjitime të popullit ukrainas dhe themelet e sigurisë evropiane”, tha Presidenca Ukrainase. 

Trump tha të premten se Zelensky ka afat deri të enjten për ta pranuar planin, i cili kërkon dorëzim territori, kufizime ushtarake dhe heqje dorë nga anëtarësimi në NATO. 

Liderët perëndimorë shprehën shqetësim për kufizimet ushtarake që do ta linin Ukrainën të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme, duke kujtuar se çdo element që lidhet me BE-në dhe NATO-n kërkon pëlqimin e anëtarëve. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quajti planin bazë për zgjidhjen e konfliktit, edhe pse Moska mund të kundërshtojë disa pika, përfshirë tërheqjen nga zonat e pushtuara. 

Ndryshe, Rusia agresionin ndaj Ukrainës e filloi më 24 shkurt 2022.