Moti i keq shkaktoi përmbytje në Shqipëri, një person u gjet i vdekur
Moti i keq në Shqipëri ka shkaktuar përmbytje në disa zona, me dëme në banesa dhe tokë bujqësore. Pas kërkimeve, ekipet e shpëtimit gjetën trupin e pajetë të një gruaje 76-vjeçare në Qarkun e Korçës, raporton Portalb.mk.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se reshjet kanë vazhduar dhe dhjetëra banorë janë evakuuar.
Sipas ministrisë, “nivelet e ujit në disa zona kanë nisur të ulen, një pjesë e madhe e akseve rrugore, ku ka pasur probleme janë rikthyer të kalueshme”.
Ekipet e emergjencave dhe autoritetet vendore po punojnë për stabilizimin e situatës dhe normalizimin e furnizimit me energji.
Gjatë ditëve të fundit, reshjet e dendura kanë përmbytur zona të ndryshme dhe kanë dëmtuar ura e rrugë.
Instituti i Gjeoshkencave në Shqipëri paralajmëroi reshje mesatare deri intensive në qarqet Durrës, Shkodër, Elbasan, Lezhë, Gjirokastër dhe Vlorë.
Ndërkaq në Tiranë dhe Dibër priten reshje mesatare.
Ndryshe, reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.