QMK: Gjendja e lumenjve është stabile
Qendra për Menaxhim me Kriza ka informuar se, sipas raporteve nga të gjitha Qendrat Rajonale për Menaxhim të Krizave (QRMK), gjendja e nivelit të lumenjve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është stabile, transmeton Portalb.mk.
Në njoftim thuhet se, në Kumanovë, Likovë dhe Staro Nagoriçane nuk ka përmbytje dhe lumi Pçinja ka ulur nivelin e ujit.
Në Kriva Pallankë, Rankovc dhe Kratovë nuk ka shtëpi të përmbytura. Nivelin e ujit në lumenjtë Krivovska dhe Kriva është rritur, por mbetet nën kontroll.
Në Ohër janë regjistruar bodrumet dhe oborret e përmbytura në shkallë të vogël, por pas ndërprerjes së reshjeve gjendja po qetësohet. Ekipet punojnë për pastrimin e kanaleve dhe shtratit të lumenjve.
Në Manastir dhe Resnje nuk ka përmbytje të reja; lumenjtë janë në shtratin e tyre dhe ekipet në terren vazhdojnë pastrimin e urave dhe pengesave.
Në Shkup, Strumicë, Shtip, Veles, Tetovë dhe rajonin veriperëndimor, gjendja është stabile, pa përmbytje, dhe rrëshqitjet e vogla janë larguar nga shërbimet kompetente.
Ndërkaq, ndërmarrjet publike dhe ekipet lokale vazhdojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në pikat kritike.
Kujtojmë se, QMK më 21 nëntor njoftoi se, reshjet e dendura ditëve të fundit shkaktuan rritje të niveleve të lumenjve dhe përmbytje lokale në disa rajone të vendit, veçanërisht në Manastir, Prespë dhe Ohër. Janë raportuar edhe rrëshqitje toke dhe dëmtime të infrastrukturës rrugore. Disa lumenj kanë dalë nga shtrati, ndërsa të tjerë paraqesin rrezik për përmbytje.