Në fshatin Shum të Strugës ende nuk janë plotësuar premtimet kryesore të Merkos

Gjatë fushatës parazgjedhore në vitin 2021 kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, mes tjerash për votuesit e fshatit Shum premtoi ndërtimin e një fushe sportive. Nga inspektimi në terren mundet të konkludojmë se fshati Shum ende nuk është bërë me fushë sportive ndërsa autoritet komunale në Strugë injoruan kërkesën tonë për ta informuar opinion se çfarë është ndërmarrë në këtë drejtim ose çfarë planifikohet të bëhet më tej në realizimin e këtij premtimi. Nga ana tjetër, premtimi për rikonstruimin e rrugëve, gjithashtu ende nuk është realizuar e as rrjeti i kanalizimit nuk është ndërtuar, shkruan Portalb.mk.

Ndërtimi i fushës sportive është një ndër tre premtimet e bëra për fshatin Shum, në programin zgjedhor Agjenda e Blertë (2021-2025), kategoria e investimeve të parapara nëpër fshatra. Premtimi është paraqitur me tre fjalë pa dhënë detaje konkrete se në cilin lokacion të fshatit do të realizohet ky projekt, si planifikohet të realizohet dhe kur mundet përafërsisht të finalizohet.

Agjenda e Blertë - BDI Strugë
Agjenda e Blertë – BDI Strugë

Gjithsesi, nga vlerësimi i situatës në terren mundet të konstatojmë se fshati Shumë akoma nuk është bërë me fushë sportive ndërkohë banorët shprehen se ndihen të anashkaluar nga pushteti lokal sepse siç thonë ata dy vite pas zgjedhjeve lokale në Shum nuk është realizuar asgjë nga premtimet e bëra elektorale.

Portalb.mk dërgoi kërkesë për informacion publik me më shumë detaje rreth premtimit në fjalë megjithatë kërkesa jonë  për të informuar opinion publik rreth kësaj teme është injoruar nga ky institucion. Kërkesa jonë mori përgjigje nga zyra e PR-it të këtij institucioni nga ku na informuan se pyetjet do të dorëzohen në sektorët përkatës, megjithatë edhe pas disa javës pritje dhe rikujtim se presim përgjigje, informacion nuk morëm.

Gjatë vizitës në fshatin Shumë disa kalimtarë të rastit që takuam thanë se as ka pasur dhe as që besojnë se do të ketë ndonjë lëvizje për realizimin e premtimeve parazgjedhore të bëra nga fituesi i zgjedhjeve lokale në vitin 2021, Ramiz Merko.

“Po u premtua ndërtimi i fushës sportive. Brenda këtyre dy viteve nuk ka pasur as dhe një hap konkret, nuk kemi parë të punohet gjë deri tash në këtë fshat”, u shpreh një banor i fshatit Shum.

“U premtua edhe zgjerimi i rrugëve mirëpo as që vjen në fjalë. Këto dy vite në qeverisja lokale nuk kanë sanuar ose mbushur ndonjë gropë e jo më të ndërtojnë dhe të zgjerojnë rrugë”, u shpreh një tjetër banor.

Një problem tjetër tejet serioz që e shprehen banorët e fshatit Shumë është edhe situata kritike me ujërat e zeza. Ndonëse në Agjendën e Blertë mes tjerash për fshatin në fjalë u premtua edhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimit deri më sot një gjë e tillë nuk është realizuar.

“Shumi dhe Zagraçani nuk kanë kanalizim dhe as dhe një standard te mirëfilltë në trajtimin e ujërave të zeza. 90% e banorëve kanalizimet i shkarkojnë tek kanali (vija) e fshatit, ku pastaj bashkohen me rrjedhën e lumit! Kurse Zagraçani i poshtëm që ndryshe e thërrasin “dukqisht” është në gjendje te mjerueshëm sepse as derdhje nuk ka dhe me shumë gjasa i depozitojnë poshtë në tokë”, deklaroi një banor i zonës.

Në fotografitë më poshtë mundet ta shikoni gjendjen e rrugëve në fshatin Shum.

Edhe pse u premtua ndërtim dhe zgjerim të rrugëve, ende nuk ka pasur lëvizje konkrete për të përmirësuar gjendjen e tyre.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren të rrugëve brenda fshatit Shum, Portalb.mk konkludon tre premtimet e bëra në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk janë realizuar.

Burimi:

Agjenda e Blertë 2021-2025, verifikuar më 30.05.2023