MALMED: Abuzime me barin Ozempik, mos përdorni ilaçe në bazë të rekomandimeve në rrjetet sociale dhe influencerëve

Agjencia për barna dhe pajisje mjekësore-Malmed bën thirrje për përdorimin e kujdesshëm të barnave dhe përdorimin e tyre vetëm me rekomandimin e mjekut. Përdorimi i barnave në bazë të rekomandimeve në rrjetet sociale dhe ndikimit të njerëzve të njohur (influencerëve) u imponohet qytetarëve dhe është gjithnjë e më i pranishëm, veçanërisht tek popullata e re, thonë nga kjo Agjenci, transmeton Portalb.mk.

Gjatë kësaj periudhe është aktual abuzimi me barin Ozempik, i cili është i regjistruar në RMV dhe është i sugjeruar për trajtimin e të rriturve me diabet mellitus lloji 2 të kontrolluar në mënyrë të pamjaftueshme, si një shtesë në ushqim dhe aktivitetin fizik. Përdorimi i këtij bari është një trend hollivudian dhe po shitet si mjet për të humbur peshë.

“Agjencia e barnave dhe mjeteve mjekësore dëshiron të apelojë që bari Ozempik është i regjistruar ekskluzivisht për trajtimin e pacientëve të rritur me diabet të llojit II, i cili lëshohet vetëm me recetë të mjekut. Aplikimi i barit për të humbur peshë është jashtë zonës së miratuar të indikacionit, i ashtuquajturi përdorim “off-label” për të cilin përgjegjës është personalisht mjeku që përshkruan recetën dhe për të njëjtën gjë duhet t’a njoftojë Agjencia e barnave dhe mjeteve mjekësore”, thonë nga Malmed.

Si për çdo bar tjetër, edhe për barin Ozempik ekzistojnë kundërindikacione, përkatësisht situata në të cilat bari nuk guxon të aplikohet, ndërsa për to janë të regjistruara edhe reaksione të padëshiruara (ulje të nivelit të sheqerit në gjak, të vjella, diarre, dhimbje stomaku, kapsllëk, të përziera, çrregullime metabolike dhe të tjera) për të cilat punonjësi shëndetësor duhet t’i tregojë pacientit dhe ta këshillojë se si të ballafaqohet me ato.

“Agjencia e barnave dhe mjeteve mjekësore ka marrë edhe një denoncim nga mbajtësi i autorizimit për nxjerrjen në treg të barit Ozempik për një bar të falsifikuar në territorin e shtetit tonë. Agjencia e barnave dhe mjeteve mjekësore dëshiron t’ju tregojë mundësinë e shfaqjes së një bari të falsifikuar në treg dhe nevojën për kujdes më të madh gjatë blerjes së barit”, deklarojnë nga Agjencia Malmed.

Sipas informacioneve të dhëna në denoncim, inspektorët farmaceutikë kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në barnatore.

“Duam të theksojmë dhe tregojmë rëndësinë e blerjes së barnave nga burime prokurimi të autorizuara, përkatëse (personat juridikë të autorizuar që kanë miratimin për shitje me pakicë të barnave të lëshuar nga Agjencia e barnave dhe mjeteve mjekësore ), me qëllim përdorimin e barnave të cilësisë dhe sigurisë së konfirmuar të miratuara me Ligj”, thonë nga Malmed.