Ndryshime partiake në Maqedoninë e Veriut
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) do ta ketë një udhëheqje të re, por me kryetarin e njëjtë: Venko Filipçe. Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Unitet Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do t’iu japin nga një mandat tjetër Hristijan Mickoskit dhe Ali Ahmetit, përkatësisht, ndërsa koalicioni shqiptar VLEN paralajmëroi shkrirjen në një parti të vetme, raporton Radio Evropa e Lirë.
Këto ndryshime pas disfatave në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut janë të kuptueshme për opozitën, vlerësojnë disa analistë. Por, a janë të mjaftueshme?
Nga freskime me anëtarë e deri te strategjitë e reja dhe bashkimet formale – këto janë disa nga ndryshimet që tashmë po ndodhin ose do të pasojnë në partitë më të mëdha në skenën politike pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut më 19 tetor dhe 2 nëntor.
Megjithatë, këto parti po i mbajnë udhëheqësit e vjetër, përfshirë disa që po ua vazhdojnë mandatet atyre.
Ndërkohë, BDI-ja opozitare ka paralajmëruar Kongres për 20 dhjetor, por ende nuk duan të parashikojnë se çfarë do të ndodhë. Megjithatë, një gjë është e sigurt.
“Në Kongres padyshim se do të rizgjidhet Ali Ahmeti si kryetar i partisë, si dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm. Këto dy organe do të dalin nga Kongresi dhe më pas në Këshillin e Përgjithshëm do të zgjidhet Kryesia Qendrore”, thotë për REL zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi.
VMRO-DPMNE-ja duhet të mbajë Kongresin në Kavadar më 6 dhjetor. Në të pritet rizgjedhja e Hristijan Mickoskit për mandatin e tretë si lider i partisë. Sipas statutit partiak, ky është maksimumi, dhe Mickoski në intervistën për emisionin “360 gradë” tha se nuk do të kërkojë ndryshime statutore, duke konfirmuar se ky do të jetë mandati i tij i fundit si kryetar.
Një Kongres pritet së shpejti edhe në VLEN, partnerin qeverisës të VMRO-DPMNE-së. VLEN funksionon si një koalicion i përbërë nga disa parti – Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, BESA e Bilall Kasamit, Alternativa e drejtuar nga Zeqirija Ibrahimi, si dhe një pjesë e krahut të Aleancës për Shqiptarët.
Ende nuk është përcaktuar si do të funksionojnë si parti – me një ose dy liderë, apo ndryshe. Ata thonë se po punojnë që deri në Kongresin themelues të kenë një model që do të përfaqësojë “një zgjidhje elegante” ku të gjithë partnerët të jenë të barabartë.