Paramendoni të shohim ëndërr – Kaligulën, Hitlerin, Çauşeskun, Sadamin, Gadafin, Noriegan, Çavezin, si po bënin gati valixhet, ndërsa një tip xhelati u ofronte opsione vdekjeje: varje në litar, prerje koke me shpatë, djegie në turrë drush, pushkatim, gijotinë, karrige elektrike etj. Gjumi na del, e s’dimë se përse këso ëndrre?!
Protestat masive në Shqipëri kundër një zhvillimi të planifikuar të një resorti elitar botëror të mbështetur nga kompania e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, në një zonë bregdetare të mbrojtur, evoluuan në një fushatë më të gjerë që sfidon një sërë politikash vendore. Me mijëra njerëz çdo ditë dalin rrugëve të Tiranës, me kërkesë dorëheqje të qeverisë. Përmes motos kryesore “Rama në burg, Berisha në burg”, ata s’duan të krahasohen me asnjë opsion ekzistues partiak.
E gjithë filloj kur një kompani për siguri të punimeve në Zvërnec, me arrogance tërhoqi zvarrë njërin nga protestuesit që pretendonte se pjesë e tokës ku do realizohej investimi në lagunën Vjosë – Nartë kishte qenë e tij. Askush nuk priste se protesta do merrte përmasat që tani ka. Shkaku, resorti elitar prej rreth 4,5 miliard euro, i propozuar të vendoset në këtë lagunë bregdetare, që është një zonë ligatinore e mbrojtur e Shqipërisë. Kjo ligatinë “e pazëvendësueshme” është banim i më shumë se 200 llojeve të zogjve shtegtarë, flamingove, fokave dhe breshkave detare që folezojnë. Chris Baker, drejtori i Wetlands International Europe, është i bindjes se “Laguna Vjosë-Nartë është një ligatinë mesdhetare unike, e paprekur dhe shumë e veçantë, që strehon mbi 200 lloje zogjsh dhe më shumë se 70 lloje të rrezikuara.” Si pjesë e planit, zhvilluesit shpresojnë gjithashtu ta transformojnë edhe ishullin e pabanuar të Sazanit në një pikë parajse turistike.
Komisioni Evropian e ka paralajmëruar Shqipërinë se duhet të veprojë tani për të shmangur rrezikimin e përpjekjeve për t’u bashkuar BE-së, dhe kërkon që ajo të përmbushë rregullat mjedisore të BE-së. “Shqipëria duhet të përmbahet nga veprimet që mund të dëmtojnë përmbushjen e kriterit të mbylljes së Kapitullit 27, dhe për këtë arsye ne presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa asnjë vonesë”, tha zëdhënësi i Komisionit, Guillaume Mercier.
Protestat në Shqipëri janë në javën e dytë të organizimit. “Gen Z“ (gjenarata e lindur midis viteve 1997 dhe 2012), janë brezi i parë që janë rritur plotësisht me internetin dhe rrjetet sociale), kërkojnë ndryshimin e mentalitetit dhe kastës politike, një dukuri që ekspertët e shohin gjithnjë e më në rritje në Ballkan dhe më gjerë në botë. Ajo që po dëshmohet sot është një brez i ri rebelësh që po futen në traditën e aktivizmit qytetar. Teksa Shqipëria vazhdon të përballet me emigracion të konsiderueshëm, veçanërisht midis të rinjve. Numri i madh i paprecedentë i protestuesve tregon se po tani vërejmë një ndryshim të rëndësishëm. Të rinjtë që po nxisin “Revolucionin Flamingo”, tani po zgjedhin të ngrenë zërin, në vend të largimit nga vendi.
Në Bullgari, protestat e organizuara nga “Gen Z” në fundvitin e kaluar dhanë efekt brenda 3 javësh, me dorëheqjen e qeverisë. Në Serbi, studentët për dy vjet kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë por deri tani ende pa rezultat. Në Shqipëri gjithashtu thirrjet për dorëheqje janë artikuluar që nga nisja e protestës, së bashku me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, duke kërkuar ndëshkimin e të gjithë klasës politike të këtyre 36 viteve. Edhe pse pas rënies së sistemit monist Shqipëria kishte rrogën mesatare për vetëm rreth pesë dollarë, kur Maqedonia kishte rreth 240 marka gjermane. Kjo tregon stagnimin marramendës zhvillimor të Maqedonisë se Veriut, realitet që pritet të shpërthej akoma më vrullshëm. Kjo nuk do mund pakufi të pengohet me manipulimet etnike në vend. Me gjasa, në të ardhmen e afërt ajo do ndodh edhe këtu në Maqedoninë e Veriut, e cila vazhdon të ushqej publikun me nacionalizëm të thjesht njëqelizor nga një klasë politike me mentalitet të vjetërsuar feudalist, e përcjellë nga një servilizëm shqiptar po aq të rrezikshëm.
Protestuesit në Shqipëri kanë paraqitur 5 kërkesa kryesore: dorëheqjen e qeverisë; shfuqizimin e ligjit dhe dispozitave për statusin e veçantë për investitorët strategjikë; tërheqjen e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; dhe shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Kryeministri Edi Rama deklaron se një pjesë e fushatës online dhe narrativës që nxit këto protesta është në të vërtetë një luftë hibride kundër Shqipërisë. Ai akuzoj Iranin, një vend me të cilin Shqipëria ka pasur mosmarrëveshje të thellë diplomatike për vite me radhë pas do sulmeve kibernetike kundër Shqipërisë. Në akuzë targetohen edhe agjenturat ruse e serbe të cilat janë shumë aktive në Ballkan. “Regjimi juaj mund të hakojë rrjetet, të burgosë kritikët, të censurojë zërat, të kërcënojë kundërshtarët, të ngacmojë fqinjët dhe të shpikë justifikime të pafundme për dështimet e tij. Por nuk mund t’i shpëtojë realitetit përgjithmonë” – shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale, duke akuzuar Teheranin për kërcënime dhe përdorim të propagandës për të justifikuar veprimet e tij. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, i hodhi poshtë pretendimet e Ramës. “Ishit ju zotëri, që e filluat këtë, andaj duhet t’i përballeni me këtë!” – shkroi ai në Platformën X. Duket se në përgjigje ka një pohim të konstatimeve të Ramës, por nuk duhet fajin kërkuar te tjerët.
Njëherit, Rama për Euronews javën e kaluar tha se kundërshtimi ndaj projektit të propozuar të pasurive të paluajtshme në bregdetin jugor të vendit po amplifikohet nga robotët, narrativat antisemite dhe forcat e jashtme armiqësore për të nxitur tensionet në Shqipëri. Edi Rama e lidhi vëmendjen e madhe që ka marrë Shqipëria në arenën ndërkombëtare për protestën dy javore që po zhvillohet në Tiranë për shkak të përmendjes së emrit të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Duke folur në 35 vjetorin e krijimit të forcës politike që ai e drejton prej vitit 2005, Rama tha se nuk bëhet fjalë për Flamingot por për Presidentin amerikan.
Pse pikërisht në këtë moment?
Iliriana Gjoni nga qendra kërkimore “Carnegie Europe” me seli në Bruksel, organizatë e cila hulumton çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë europiane, thotë se “është veçanërisht interesant momenti në të cilin po ndodhin këto protesta”. “Në Shqipëri, shumë nga debatet që po zhvillohen sot mbi konsultimin publik, transparencën, mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e qeverisjes, e që lidhen ngushtë me standardet që vendi ka marrë përsipër të zbatojë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Pikërisht për këtë arsye, protestat duhen parë me maturi dhe respekt. Në një demokraci funksionale, tubimet paqësore dhe shprehja e pakënaqësisë qytetare nuk përbëjnë kërcënim për stabilitetin. Përkundrazi, ato janë pjesë e mekanizmave përmes të cilëve shoqëritë korrigjojnë veten, forcojnë institucionet dhe ndërtojnë besim mes qytetarëve dhe shtetit” – tha ajo në një intervistë për Deutsche Welle.
Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Europën Lindore (ZOiS) me seli në Berlin, është e analizës se “këto protesta janë një përpjekje për të rinegociuar kontratën sociale”. Deutsche Welle, analizon se protestat nuk duhen parë vetëm si një reagim ndaj një projekti të vetëm, por si pjesë e një beteje më të gjerë. „Nëse mijëra njerëz dalin në rrugë, pyetja kryesore për çdo qeveri demokratike nuk duhet të jetë vetëm se kush mund të përfitojë nga protestat, por edhe pse këto protesta po rezonojnë me një pjesë të shoqërisë – analizon „Carnegie Europe”.
Trajtim objektiv
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, nuk guxojnë t’i trajtojnë reagimet publike me etiketa të vjetërsuar që më s’pinë ujë, ngjashme si në Serbi, ku Vuçiqi i paraqiste protestat e studentëve si përpjekje të nxitura nga jashtë për të destabilizuar vendin. Përgjigjen duhet kërkuar, brenda vetes. Te funksionimi I sistemit dhe legjitimiteti i përfaqësimit. Shqipëria, realisht mbetet një nga shoqëritë më pro-evropiane dhe pro-perëndimore në Ballkan. Rama thot – “o do të bëhemi si Dubai në kuptimin e atraksionit për Lindjen e Mesme, o do mbetemi si Greqia, Kroacia e Mali i Zi ku turistët shkojnë me bukën e vet! S’bën të themi se kemi frikë të zhvillohemi, të rritemi, e të pasurojmë vendin tone”. “Nuk bëhet shtet me këta patriotët që shesin flamuj, qeleshe apo shqiponja” – tha Rama. Ai u ankua se ka pasur edhe persona nga Kosova e Tetova, që kanë hedhur gurë në bulevard dhe kanë fshehur dorën. Duan të sjellin në Shqipëri kënetat e tyre.
Çfarë vjen më pas?
Në Bullgari, protestat e organizuara nga “Gen Z” në fundvitin e kaluar dhanë efekt brenda 3 javësh, me dorëheqjen e qeverisë. Në Serbi, studentët kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë por deri tani ende pa rezultat. Në Hungari rrëzuan Orbanin. Serbia pret në radhë. Ndoshta edhe Maqedonia nëse vazhdon kështu.
Rama: “ju mendoni se luftoni kundër meje, por luftoni kundër fëmijëve tuaj që nesër ta kenë më mirë nga një investim prej 4,5 miliard dollar. Duani flamingot me shume se fëmijët tuaj. Na duhet një Shqipëri me turizëm elitar global. Ka kritika edhe nga Greqia sepse s’duan t’ua marrim primatin”. Ai kritikoi edhe do mysliman që s’duan hebrenj në Shqipëri. “Ata thonë se janë myslimanë, por Kuran nuk kanë”- tha ai.
Tani do vihen në funksion ambasadori amerikan në Shqipëri. Atij nuk guxohet t’i thuhet JO. Këso protestash janë mesazh i keq për investitorë të huaj, aq më pak me elemente ekologjike, të organizuar nga persona që nuk pastrojnë bërllokun as në oborret e tyre.
Maqedonisë urgjent i duhet normalitet!
Në protestat e Shqipërisë, u dëgjuan edhe parulla “Shqipëri etnike”. Me siguri nga të ardhurit jashtë Shqipërisë. Dikush këndej mund t’i ketë adresuar protestuesit kundër Ramës, por atje hesapi del ndryshe. Gabim njësoj si i atij amatorit politik që lëvdohej se si “UÇK e udhëheqka qeverinë”, që s’dinte se ashtu vetëm se nxiste vrullin e nacionalizmit maqedonas që rezultoi me një qeveri radikalisht nacionaliste, e që tani bën revizion të shumë gjërave shqiptare. Mllefi kolektiv tani vetëm se ndërron anën. Në fakt këtu për vite ndeshemi me deficit kohezioni ndëretnik, që është çelës zhvillimi.
Gabim fillestar bënë udhëheqja aktuale e Maqedonisë me revizionim të të drejtave të fituara. Kjo do mund shumë t’i kushtoj shtetit, nga i cila edhe qarqet ndërkombëtare janë të lodhur. Vetëm ndjenja e barazisë shpëton. Në Zvicër jetojnë 70 % gjermanë, por me barazi të plotë me 20% francezë dhe 10 % Italian dhe asnjëra bashkësi nuk pretendon t’i bashkëngjitët shtetit amë. Ujdhesat Alande janë të banuara me Suedez por janë në kuadër të Finlandës me të gjitha të drejtat maksimale dhe gjithçka funksionon perfekt. Flandria (pjesa frankofone e Belgjikës), nuk pretendon t’i bashkëngjitët Francës sepse të drejtat e tyre janë krejt të barabarta. Ka edhe shume e shumë shembuj tjerëve. Por, këtu sidomos kur paria nacionaliste vjen në pushtet – ndjell djallin dhe i hap derën krahë më krah. S’di se si do jetë përgjigja kur çdo kush do parashtroj pyetjen se përse disa rajone janë katër herë më pak të zhvilluara?! Ajo mund të jetë një tërmet i madh për shtetin. Çka do thonë ata që edhe pas vdekjes duan të jenë pushtet!
Paramendoni të shohim ëndërr – Kaligulën, Hitlerin, Çauşeskun, Sadamin, Gadafin, Noriegan, Çavezin, si po bënin gati valixhet, ndërsa një tip xhelati u ofronte opsione vdekjeje: varje në litar, prerje koke me shpatë, djegie në turrë drush, pushkatim, gijotinë, karrige elektrike etj. Gjumi na del, e s’dimë se përse këso ëndrre?!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.