Ndasitë – kësmeti ynë i pandashëm
Fati ynë është fati i qenies sonë të copëzuar në shtjellat e historisë. Ai nuk është ndarë kurrë nga fati i përgjithshëm, ndaj dhe pozita jonë është pothuajse e njëjta me atë të mbarë kombit. Është kështu falë hises së fajit tonë, e cila edhe sot është shumë e madhe, nëse kemi sy për ta parë dhe mendje për ta kuptuar se gjithandej po i demonstrojmë cenet dhe paaftësinë tonë për ta qeverisur mirëfilli lirinë, diku të diskutueshme e diku gjysmake, që na i kujton thëniet dëshpërruese të rilindësve, të cilët e kuptuan dhe e thanë zëshëm se ne jemi armiqtë më të mëdhenj të vetvetes.
Kjo është pozita shoqërore që na ka ndjekur prej shekujsh. Ky është kësmeti ynë i pandashëm edhe gjatë 34 viteve të fundit, përgjatë të cilëve lindën armiqësitë mes subjekteve politike të demokracisë në paterica, që ndanë më pas në tabore të papajtueshme edhe masat e gjera popullore; që tufëzuan edhe të rinjtë, në rini partishë të ndryshme politike; që ndikuan madje të mos shkojmë më as në dasma, as në vdekje të njëri-tjetrit; të mos jemi bashkë në asnjë manifestim kulturor e kombëtar; të punësohemi dhe shkarkohemi nga vendi i punës në varësi të stinës kur partia jonë e adhuruar është në pushtet fiktiv dhe të thellojmë hullitë ndarëse në një kohë kur të gjithë duhet të përqendrohemi në gjëmën e shprazjes së tmerrshme të trojeve stërgjyshore nga të rinjtë që kanë humbur besimin për një të ardhme më ndryshe.
Për statuse të këtilla, ku hapat e kërmilltë zhvillimorë të një etnie përcaktohen nga tjetri, kur jeta zbret në shkallë fyese për dinjitetin individual e kolektiv, filozofi francez me origjinë rumune Elim Sioran, thoshte: Provo të jetosh ilirë, do ngordhish urie! Prandaj ka heshtje kronike dhe mungesë totale zërash apartiakë, sepse, për ata që nuk i binden logjikës së skizmave s’ka punësim, s’ka drejtësi, s’ka perspektivë.
Në këso rrethanash është e pritshme që tjetri të shfrytëzojë përçarjet për t’na i futur të dy këmbët në një çizme të vetme dhe këtu nuk ka hidhërim, sepse politika e më të fortit në Siujdhesën Ballkanike këtë zanat e ushtron prej shekujsh.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.