Ndalim lëvizjeje në ‘Vardarishte’ dhe aktakuza kundër tre personave për krijimin e kësaj deponie ilegale
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për “Rrezikim të Mjedisit dhe Natyrës”, pasi prej vitit 2020 deri më 2 shtator 2025 kanë blerë dhe transportuar ilegalisht mbeturina metalike, duke krijuar deponi të paligjshme e njohur si Vardarishte, që u zbuluan pas një zjarri. Prokurori ka propozuar zgjatjen e paraburgimit dhe ka lëshuar urdhëresa për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Ndërkohë, Qeveria ka miratuar ndalimin e lëvizjes në territorin e deponisë “Vardarishte” si masë urgjente për menaxhimin e zjarrit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Komiteti Drejtues do të monitorojë situatën deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit, transmeton Portalb.mk.
“Prokuroria Themelore Publike në Shkup ngriti aktakuzë kundër tre personave për veprën penale të Rrezikimit të Mjedisit dhe Natyrës. Të tre të pandehurit nga viti 2020 deri më 2 shtator 2025, kanë blerë skrap metali, produkte metalike, bateri të vjetra dhe metale të tjera me ngjyra në lokacione të improvizuara të mbeturinave, pa kompani, pa regjistruar person juridik dhe pa poseduar leje përkatëse për kryerjen e aktiviteteve të menaxhimit të mbeturinave. Sipas Prokurorisë Publike, ata kanë lënë, hedhur dhe transportuar ilegalisht mbeturina, duke krijuar kështu deponi të paligjshme, të cilat u zbuluan kur shpërtheu një zjarr në një pjesë të lokacionit. Duke vepruar kështu, të pandehurit ndikuan në cilësinë e tokës dhe ajrit dhe paraqitën rrezik për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Prokurori Publik i paraqiti një propozim Gjykatës Themelore Penale në Shkup për zgjatjen e masës së paraburgimit të përcaktuar më parë për tre të pandehurit”, thonë nga Prokuroria.
Lidhur me shkaqet e zjarrit në “Vardarishte”, Prokuroria Publike në Shkup lëshoi disa urdhëresa me qëllim identifikimin e kryerësve të tjerë të veprave penale.
Deri më sot nuk është ngritur asnjë njoftim apo kallëzim penal pranë autoriteteve kompetente në lidhje me zjarrin në deponinë e Drisllës. Prokuroria thotë se po e monitoron situatën dhe nëse përcakton se mjedisi është rrezikuar nga vepra penale, Prokuroria Publike në Shkup do të ndërmarrë veprime të menjëhershme.
Ndërkohë, Komiteti Drejtues për Koordinim dhe Menaxhim të Sistemit të Menaxhimit të Krizave, në mbledhjen e sotme, i propozoi Qeverisë, e cila dhe miratoi vendimet e mëposhtme: ndalim të lëvizjes në territorin e deponisë „Vardarishte“ si masë urgjente për përballimin e zjarrit në këtë deponi në komunën e Gazi Babës. Për zbatimin e kësaj konkluze është caktuar zëvendës kryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
“Vendimet u morën pas diskutimeve mbi situatën me zjarret në deponinë „Vardarishte“ në komunën e Gazi Babës, ku anëtarët e Komitetit, për shkak të rrezikut të shtuar për jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe për shkak të ndotjes së mjedisit, vendosën masa për parandalim dhe largim të pasojave të dëmshme nga zjarret në deponi. Këto vendime kanë për qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e qytetarëve, si dhe menaxhimin parandalues të situatave të mundshme krizash të këtij tipi. Komiteti Drejtues për Koordinim dhe Menaxhim të Sistemit të Menaxhimit të Krizave do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje situatën në dhe rreth deponisë „Vardarishte“ dhe do të mbetet aktiv deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, duke kërkuar durim nga qytetarët e prekur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit.