Narrativat anti-shqiptare të kanalit rus në Telegram
“Bunt je stanje duha” prej kohësh është shndërruar në një nga kanalet më agresive rusishtfolëse në Telegram, i cili prodhon dhe shpërndan narrativa të bazuara në urrejtje kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Me tone të ashpra, gjuhë nxitëse dhe paralele të rreme historike, ky kanal synon të nxisë frikë, armiqësi dhe ndarje etnike, veçanërisht tek serbët në veri të Kosovës, shkruan Sbunker.
Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, kanali publikoi disa postime që shërbejnë si shembull tipik i propagandës. Postimet që u shpërndanë edhe nga kanalet e tjera që operojnë në veri të Kosovës, shoqërohen me manipulim emocional, keqpërdorim të simboleve shqiptare dhe nxitje të tensioneve ndër-etnike.
Në postimin e parë, kanali shpërndan disa fotografi të flamurit shqiptar pa treguar vendndodhjen. Në njërën video, flamuri shihet duke u djegur, në të tjerat është i varur mbrapsht në disa hekura, një gjest i qëllimshëm për ta trajtuar simbolin kombëtar si objekt talljeje dhe poshtërimi.
Në përshkrim përdoret fjala ofenduese “Shiptari”, duke identifikuar shqiptarët si objekt kolektiv përçmimi. Ndërkohë, përvjetori i Pavarësisë paraqitet si një provokim ndaj serbëve. Kanali nuk sqaron se ku janë bërë fotot, kush i ka djegur flamujt dhe pse. Djegia e flamurit mund të jetë skenë e inskenuar, një metodë tipike për të krijuar përshtypjen e një “kërcënimi” që nuk ekziston.
Qëllimi përmes këtij narracioni është paraqitja e identitetit shqiptar si kërcënim simbolik dhe të nxisë reagim emocional tek serbët, veçanërisht tek ata që jetojnë në zona të që në të kaluarën kanë qenë burim tensionesh.
Krahasime të rreme mes Bujanocit dhe Kosovës
Në postimin tjetër, ky kanal përpiqet të krijojë paralele të paqëndrueshme mes situatës së shqiptarëve në Bujanoc dhe serbëve në Kosovë. Fotografia e një flamuri shqiptar të varur në ndërtesën e Komunës së Bujanocit përdoret si “dëshmi” për kinse privilegj të shqiptarëve në Serbi.
“Flamuri shqiptar është varur në ndërtesën e komunës së Bujanocit. Ndërsa serbët në Kosmet arrestohen dhe rrihen për një bluzë, shqiptarët mburren me pjesën tjetër të Serbisë. A do të reagojë shteti i Serbisë dhe pse nuk do të reagojë?”, thuhet në postim.
Vendosja e flamurit shqiptar në Bujanoc është në përputhje me Ligjin serb për përdorimin e simboleve të pakicave kombëtare në komunat ku ato përbëjnë shumicë. Prandaj ky është proces ligjor, jo akt provokimi siç tenton ta paraqesë kanali rus.
Në të njëjtën fjali thuhet se “serbët në Kosovë rrihen për një bluzë” – një pretendim i zakonshëm i propagandës, por pa asnjë kontekst apo dëshmi. Pyetja “pse nuk reagon Serbia?” është nxitje e drejtpërdrejtë ndaj autoriteteve, duke i portretizuar si të dobëta, ku
Qëllimi është t’i paraqesë shqiptarët si të privilegjuar dhe serbët si viktima të pafuqishme.
Narrativa të tilla rrisin ndjeshmërinë e komunitetit serb dhe krijojnë ndarje të rreme me qytetarët shqiptarë, duke mbajtur ndezur qarkun e urrejtjes.
Ironi dhe tallje ndaj diplomacisë serbe
Në postimin e tretë, kanali ironizon me urimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Serbisë drejtuar Shqipërisë për Ditën e Pavarësisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i uroi shqiptarët për Ditën e Pavarësisë. Një përgjigje e sjellshme nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. Ata po shkojnë mirë”, shkruan në postim.
Duke tallur MPJ-në serbe, kanali përpiqet të minojë çdo gjurmë të normalizimit të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe, në mënyrë të tërthortë, me Kosovën. Pretendimi se “atyre u pëlqen” është mënyrë për të thënë se institucionet po tradhtojnë interesat kombëtare. Kjo lidhet drejtpërdrejt me narrativat e tjera të kanalit që synojnë ta paraqesin çdo bashkëpunim me shqiptarët si akt të dëmshëm për serbët.
Kjo qasje përveç se krijon hendek më të madh midis publikut serb dhe politikave të normalizimit, është sabotim ndaj çdo hapi diplomatik që mund të ulë tensionet. Narrativat e tilla nuk janë spontane. Ato funksionojnë për disa arsye strategjike dhe në të shumtën e rasteve nxiten nga Kremlini. Sa më shumë frikë, ndarje dhe zemërim të ketë, aq më e lehtë është për aktorët e jashtëm të manipulojnë opinionin publik dhe të nxisin tensione. Çdo festë, simbol apo ngjarje e rëndësishme shqiptare paraqitet si kërcënim për të krijuar përshtypjen e një shteti të rrezikuar.
Kanalet si “Bunt je stanje duha” veprojnë në linjë të qartë me interesat ruse që janë: nxitje përçarjeje, minimi i stabilitetit dhe sabotim i proceseve euro-atlantike. Shpërndarja e përmbajtjeve të tilla, sidomos me tone fyese dhe imazhe nxitëse, bëhet me tendencë që të ndikohet në terren, duke forcuar ndasitë dhe duke ushqyer rrëfime të rrezikshme që largojnë shoqëritë nga paqja dhe bashkëjetesa.
