Kushtetuesja pret propozim për gjykatës të ri, lënda për kushtetutshmërinë e gjuhës shqipe ende në pritje

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, shpreson që deri në fund të vitit Këshilli Gjyqësor të ketë propozim për anëtar të ri të Gjykatës Kushtetuese nga radhët e gjyqtarëve. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para fillimit të seancës së 532-të të Këshillit Gjyqësor, Kambovski theksoi se vendi që më parë e mbante kolegia e tij Elizabeta Dukovska është vend që propozohet nga Këshilli Gjyqësor, ndërsa sa i përket gjyqtares dhe profesoreshës Jadranka Daboviq-Anastasovska, ata nuk kanë kompetenca, sepse emërimi i saj kalon përmes Kuvendit, transmeton Portalb.mk. Kujtojmë se, pasi të kompletohet Kushtetuesja do të duhet të hapet rruga e shqyrtimit të lëndës për përdorimin e gjuhës shqipe, gjë që mbetet peng e mungesës së përbërjes së plotë të kësaj gjykate.

“Kemi mbajtur disa takime pune në Këshillin Gjyqësor, kemi pasur mendime të ndryshme dhe mendoj se jemi afër harmonizimit të atyre qëndrimeve, në mënyrë që çështja të mund të vendoset në rend dite. Kishte dallime lidhur me atë nëse duhet të votojmë përsëri të njëjtët kandidatë, duke pasur parasysh aktgjykimin e Gjykatës Administrative, apo të shkojmë drejt një propozimi të ri dhe të mos i marrim parasysh kandidatët ekzistues,” tha Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kambovski.

Ai theksoi se Këshilli është organ kolektiv dhe që një pikë të futet në rend dite, anëtarët duhet të jenë të harmonizuar.

“Dëshira ime ishte që ta propozonim që dje, por nuk jam vetëm, ne jemi organ kolektiv dhe duhen të paktën tetë vota për të dalë me një propozim,” theksoi tutje Kambovski.

Sa i përket funksionimit të Këshillit Gjyqësor, duke pasur parasysh se dy anëtarëve u skadon mandati, Kambovski tha se mbeten 10 anëtarë aktivë dhe se ka kuorum për punë.

“Gjyqtari Halif Zendeli largohet në shkurt, por konkursi është tashmë i hapur, kështu që nuk do të ketë hapësirë bosh,” tha ai.

Këshilli Gjyqësor duhe të propozojë edhe një emër të ri që do të zëvendësojë gjykatësen Elizabeta Dukovska.  Ajo ishte raportuese mbi nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për gjuhët. Ajo u shkarkua me vendim të Gjykatës Administrative, sipas të cilit Këshilli Gjyqësor ka vepruar në mënyrë të parregullt në vitin 2023 kur zgjodhi Dukovskën.

Kujtojmë se edhe pse ishte paralajmëruar për më datë 19 qershor 2025, seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë për Ligjin për Gjuhët, gjegjësisht të gjuhës shqipe, nuk u mbajt. E njëjta u prolongua për kohë të pacaktuar, për shkak të tragjedisë në Koçan si dhe pas shkarkimit të gjykatëses Elizabeta Dukovska dhe moszëvendësimit të saj me gjykatës tjetër.

Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN. 

Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. 

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të. 

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetor do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji. 

Deri ku është Ligjin i ri për Këshillin Gjyqësor?

Kambovski shtoi se ata presin edhe propozimet e presidentes Gordana Siljanovska Davkova dhe Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor, i cili në mënyrë shumë më të qartë dhe më të avancuar e përkufizon se çfarë është një jurist i shquar. Ai theksoi se e kupton plotësisht vendimin e Presidentes dhe mendon se është vendim i drejtë, pasi është pjesë e hapave reformues që duhet të ndërmerren.

“Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor e presim me padurim. E dini që është ligj reformues. Ka kaluar në Komisionin e Venecias. E kuptoj Presidenten, sepse po pret ligjin e ri, kriteret dhe shpjegimi se çfarë përbën jurist të shquar janë ngritur në një nivel më të lartë evropian krahasuar me më parë. Me këtë, mundësia që në Këshillin Gjyqësor të hyjë dikush që nuk mund të konsiderohet jurist me përvojë reduktohet në minimum,” deklaroi Kambovski.

Ka konkurse për disa kryetarë gjykatash

I pyetur për procedurat për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të gjykatave, Kambovski tha se tashmë janë shpallur konkurset për kryetar të Gjykatës Administrative, për Gjykatën Penale të Shkupit dhe për Gjykatën e Lartë Administrative.

“E dini që gjatë zgjedhjeve gjithçka ishte pezulluar. Tani të gjitha procedurat që ishin ndalur kanë rifilluar. Kemi hapur konkurs për kryetar të Gjykatës Administrative, për Gjykatën Penale të Shkupit dhe për Gjykatën e Lartë Administrative. Të gjitha, më duket, janë drejt fundit. Nëse arrijmë deri në fund të vitit, ato do të kalojnë në seancë,” përfundoi Kambovski.