BFI shkarkoi myftiun e Tetovës dhe Strugës, në vend të tyre emëroi ushtrues detyre deri në zgjedhje

Në mbledhjen e mbajtur sot, Bashkësia Fetare Islame ka shkarkuar udhëheqësin e Myftinisë së Tetovës, Qani Nesimi, dhe udhëheqësin e Myftinisë së Strugës, Salim Sulejmanin, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë kësaj mbledhje Rijaseti diskutoi për gjendjen aktuale në Muftininë e Tetovës dhe Muftininë e Strugës, ndaj të cilëve u soll vendim unanim nga Rijaseti i BFI-së, për shkarkimin nga detyra e Muftiut të Muftinisë së Tetovës, Qani Nesimi dhe në vend të tij për ushtrues detyre deri në zgjedhje të reja të Muftinisë së Tetovës u emërua Ushtrues Detyre Mufti dr. Selver Xhemaili”, njoftoi BFI.

Vendimi i njëjtë në këtë mbledhje u soll edhe për Myftinin e Strugës, ku Jusuf Ismaili do të jetë Ushtrues Detyre.

“Rijaseti i BFI e RMV, si organi më i lartë kolektiv, vendimet e lartëpërmendura i mori për ta ruajtur unitetin e popullatës muslimane në vendin tonë si dhe për ta ruajtur integritetin e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së”, vlerësoi BFI.

Ndryshe, gjatë ditës ka reaguar Muftinia e BFI-së në Tetovë, duke theksuar që mbledhja e fundit kur është ftuar kjo Muftini ka qenë më 29 mars të vitit 2023.

“Konvokimi i Mbledhjes së Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, që mbahet sot në lokalet e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut (08.11.2023), pa ftesë drejtuar përfaqësuesit legjitim të Muftinisë së Tetovës – Muftiut të Tetovës (neni 34), ne si Muftini e Tetovës, e konsiderojmë jolegale, pasi bëhet shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së BFI-së të RMV-së”, thuhet në reagimin e Muftinisë në Tetovë.