Ilaçi “Myfrotic” u shtrenjtua për 3.450 denarë, megjithëse duhet të merret gjatë gjithë jetës që organizmi të mos e refuzojë veshkën e transplantuar
Në kulmin e fushatës për dhurimin e organeve, Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe komisioni i tij shtatëanëtarësh për çmimet referente vazhdojnë t’u sjellin surpriza të pakëndshme pacientëve. Edhe pse autoritetet përpiqen ta paraqesin rritjen drastike të çmimeve të barnave në farmaci si zhvillim pozitiv, reagimet e pacientëve dhe familjeve të tyre mbeten të hidhura, transmeton Portalb.mk.
Ilaçi Myfortic 360, të cilin pacientët me veshkë të transplantuar duhet ta marrin për një periudhë të gjatë, shpesh gjatë gjithë jetës, në mënyrë që organizmi të mos e refuzojë organin e transplantuar, dhe që deri tani merrej falas, tashmë kushton 3.450 denarë. Sloboden Peçat e verifikoi çmimin në disa farmaci më të mëdha dhe u bind për këtë.
Ndryshimi i pjesëmarrjes në pagesë është i kohëve të fundit, pasi disponojmë një faturë fiskale nga fillimi i qershorit të këtij viti, kur ilaçi ishte tërhequr me recetë për 0 denarë. Ka pacientë me veshkë të transplantuar që e marrin këtë ilaç prej më shumë se 10 vitesh, çdo ditë, si pjesë e një protokolli të detyrueshëm së bashku me barna të tjera, për të mbijetuar.
Familjet e tyre, të cilat u konsultuan, thonë se nuk u shkon ndër mend ta ndryshojnë ilaçin, edhe nëse ekziston alternativë gjenerike më e lirë, sepse profesorët specialistë ua kanë rekomanduar pikërisht “Myfortic 360” dhe sepse nuk duan të eksperimentojnë me jetën e tyre.
Të enjten e kaluar, më 18 qershor, Fondi për Sigurim Shëndetësor publikoi një shtesë të kodifikuesit të barnave me çmime referente të ndryshuara. Sipas këtyre ndryshimeve, pacientët do të duhet të paguajnë pjesëmarrje më të lartë jo vetëm për “Myfortic 360”, por edhe për “Foster”, pompë inhalatore kundër astmës dhe sëmundjes pulmonare obstruktive kronike, e cila nga 300 denarë tani do të kushtojë 1.081 denarë.
Për përcaktimin e propozim-çmimeve referente të barnave, drejtori i Fondit formon një komision të përhershëm për përcaktimin e tyre. Komisioni ka 7 anëtarë, prej të cilëve njëri është kryetar.
Anëtarë të komisionit mund të jenë persona të punësuar në Fond, si dhe ekspertë të jashtëm – ekonomistë, farmacistë, mjekë ose juristë, ndërsa njëri prej tyre duhet domosdoshmërisht të jetë i punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë.