Muslimanët në RMV dhe botë shënojnë festën e sakrificës, gëzuar Kurban Bajramin!
Besimtarët muslimanë sot në Maqedoninë e Veriut dhe mbarë botën festojnë Kurban Bajramin, festë, e cila vijon dy muaj pas Fitër Bajramit, shkruan Portalb.mk.
Në ora 04.24 besimtarët në Shkup në RMV falën namazin e sabahut, më pas midis orës 04.40 – 05.39 vijoi programi fetar, ndërsa në orën 05.39 u fal namazi i Bajramit.
Midis orës 05.45 – 06.05 u zhvillua hutbeja e Reis Ulema dhe në fund duaja.
Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup, dhe u transmetua drejtpërdrejtë në TVM2.
Pas faljes së namazit, muslimanët uruan njëri-tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie dhe respekti.
Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.
Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.
Gjatë kësaj feste urime kanë dërguar krerët e institucioneve shtetërore, njerëzit e jetës politike, akademike, e artistike në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.
Redaksia e Portalb.mk ua uron të gjithë besimtarëve muslimanë festën e Bajramit, duke u dëshiruar shëndet të plotë, mirëqenie, dhe solidaritet.