Kancelari Merz e takoi presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka bërë një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, ku u prit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, raporton Klan.
Nisja e takimit të tyre kokë më kokë në Zyrën Ovale duket e mbarë, teksa Trump ka premtuar marrëdhënie të “shkëlqyer” me Gjermaninë, ndërsa Merz u shpreh se kanë të përbashkëta të shumta me Shtetet e Bashkuara.
Fillimisht u ndalën tek marrëdhëniet Gjermani-SHBA, teksa Trump përgëzoi Merz për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga ana gjermane. Shtimi i shpenzimeve për riarmatimin e Gjermanisë, për Trump është gjë pozitive.
Shpejt biseda kaloi nga marrëdhënia mes tyre tek lufta në Ukrainë, teksa deri tani përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për dhënien fund të saj, nuk është se po funksionojnë siç Trump do dëshironte, i cili ky i fundit premtoi se do vendoste paqe brenda 48 orëve pasi të fitonte mandatin presidencial.
Për Merz, SHBA-të ndodhen në një pozicion strategjik pëe dhënien fund të kësaj lufte, duke u shpreh se “Amerika është përsëri në një pozicion shumë të fortë për t’i dhënë fund kësaj lufte”. Kancelari gjerman gjithashtu shprehet se është e rëndësishme të jepet mbështetje ndaj Ukrainës dhe të ushtrohet presion mbi Rusinë. Për këtë, Trump nuk dha një pohim të drejtpërdrejtë, por as nuk mohoi gjë, pasi u shpreh në mënyrë diplomatike “Do të flasim për këtë gjë”, në mënyrë që të mos japë asnjë premtim paraprak.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara e krahasoi këtë luftë me “dy fëmijë që luftojnë në një park”, teksa shtoi se “ndonjëherë është më mirë t’i lësh të zihen për pak kohë”. Trump mbështet faktin se lufta në Ukrainë ka arritur të shkatërrojë kulturën dhe trashëgiminë e këtij shteti.
Kujtojmë se një ditë më parë, pati një bisedë telefonike midis Trump dhe Putin, e cila zgjati rreth 75 minuta. Trump u shpreh se biseda në tërësi ishte e mirë, por paqja nuk është dhe aq e afërt.
“Diskutim i mirë, por nuk do të na çojë në paqe të menjëhershme”, shkroi Trump në rrjetet sociale.