Komuna e Tetovës ende pa objekt të ri, projekti ngec për më shumë se një vit e gjysmë

Ndonëse ishte planifikuar që përmes këmbimit tokës prej 3800 metra katror do të ndërtohet objekt i ri për administratën e Komunës së Tetovës, ky proces po zvarritet për mbi një vit e gjysmë. Nga Komuna e Tetovës arsyetohen se ka pasur kontestim në bazë të ligjit dhe se do të shkohet me dy procedura të ndara, të cilat nuk dihet se kur do të përfundojnë, shkruan Portalb.mk. 

Në një nga seancat e Këshillit Komunal të Tetovës, në shtator të vitit 2023 u bë e ditur se Komuna e Tetovës do të ndërtojë objekt të ri për nevojat e administratës, dhe se kompania e cila do të përzgjidhet të ndërtojë objektin i cili do të jetë afër ndërtesës aktuale komunale, do të merr në këmbim tokë ndërtimore në sipërfaqe prej mbi 3800 metra katrorëve, e cila ka vlerën diku rreth 800 mijë euro. 

Megjithatë, një vit e gjysmë më pas kjo nuk është realizuar në terren.

I pyetur nga Portalb.mk, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se ka pasur kontestim ligjor dhe se do të shkohet me dy procedura të ndara, megjithatë nuk dihet se kur pritet që ky proces të përfundojë. 

“Në këtë rast për shkak se bëhet fjalë për lokacione të ndryshme, te kjo pjesë është konstatuar se nuk ka bazë ligjore dhe do shkohet me shpallje publike, edhe ndërtimi i objektit të komunës edhe shitja e tokës që është në dispozicion në pronësi të komunës, nga mjetet do të ndërtohet, do shkohet me dy procedura të veçanta, nuk do shkohet me një procedurë në bazë të vendimit për partneritet privato-publik”, tha Kasami. 

Sipas studimit të fizibilitetit të bërë, toka që do të jep komuna kap vlerën bazë prej rreth 800 mijë eurove, ndërsa objekti kap vlerën e rreth 1.2 milionë eurove. Por, këto vlera mund të ndryshojnë varësisht ofertave që do të merren. 

Ky proces është kritikuar nga opozita në këshillin komunal. 

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës pritet ta japë me partneritet publiko-privat për 15 vjet pishinën e mbyllur të qytetit për të ndërtuar akuapark në atë vend. Në këmbim, kompania e përzgjedhur me thirrje publike për të ndërtuar akuaparkun, do të merr tokë prej rreth 4.500 metra katrorë. Por ky proces po zvarritet për mbi një vjet e gjysmë, sipas opozitës ky investim nuk është i arsyeshëm nga ana financiare, dhe se pas këtij plani fshihet korrupsion.