Mundësi studimi në Mbretërinë e Bashkuar, janë hapur aplikimet për bursat Chevening

Aplikimet për bursat Chevening për të studiuar në Mbretërinë e Bashkuar janë të hapura prej 12 shtatorit deri më 7 nëntor 2023. Aplikimet duhet të dorëzohen nëpërmjet formularit për aplikim online në këtë link. Bursat Chevening u ndahen individëve nga të gjitha mjediset, të cilët mund të demonstrojnë se kanë angazhimin dhe aftësitë e nevojshme për t’u bërë udhëheqës të ardhshëm dhe mund të tregojnë se si një diplomë master në Mbretërinë e Bashkuar do t’u ndihmojë atyre të bëjnë ndryshime pozitive në vendin e tyre, transmeton Portalb.mk.

Bursa ofron mbështetje të plotë financiare për studiuesit për të studiuar për cilëndo diplomë master të pranuar në mbi 150 universitete në Mbretërinë e Bashkuar, duke fituar gjithashtu qasje në një gamë të gjerë të përvojave ekskluzive akademike, profesionale dhe kulturore.

Që nga krijimi i programit në vitin 1983, mbi 55,000 profesionistë kanë pasur mundësinë për të çuar karrierën e tyre në nivelin e ardhshëm përmes Chevening. Ka rreth 1,500 çmime të ofruara globalisht për vitin akademik 2024/2025, duke demonstruar përkushtimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar drejt zhvillimit të liderëve të së nesërmes, ndërsa Chevening po feston vitin e tij të 40-të.

Drejtoresha për bursa e Zyrës së jashtme, Komonuelthit dhe zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), Ema Henesi (Emma Hennessey), tha:

Studiuesit, akademikët dhe të diplomuarit e Chevening përdorin aftësitë dhe njohuritë që fitojnë gjatë studimeve në Mbretërinë e Bashkuar për të nxitur ndryshimin, duke promovuar jetë më të mira dhe vende më të sigurta për njerëzit në mbarë botën për të jetuar, punuar dhe përparuar.

Chevening përfaqëson më të mirën e Mbretërisë së Bashkuar dhe botës, ndërsa studiuesit tanë bëhen pjesë e rrjetit global Chevening me mbi 55,000 të diplomuar. Unë jam gjithmonë e frymëzuar nga pasioni dhe angazhimi i bashkësisë Chevening dhe mezi pres të pranojë aplikimet nga gjenerata e ardhshme.’

Methju Lauson (Matthew Lawson), ambasadori britanik në Maqedoninë e Veriut tha: “Nuk ka diçka të tillë si një studiues ‘tipik’. Mosha, raca, gjinia, feja dhe prejardhja kulturore e juaj nuk kanë rëndësi për ne. Ne duam të shohim se ju keni energji, kureshtje, dhembshuri, një vizion të qartë për të ardhmen tuaj dhe aftësinë për të arritur qëllimet tuaja. Nëse kjo tingëllon si ju, atëherë ka shumë gjasa të përshtateni me bashkësinë tonë prej mbi 55,000 të diplomuarish në mbarë botën. Rrjeti ynë i të diplomuarve është plot me persona dinamik me ndikim që kanë ndarë të njëjtën përvojë që do të ndani edhe ju. Ata mund të ofrojnë inkurajim, mentorim, këshilla dhe kontakte. Kur të ktheheni pas studimeve në shtëpi, duhet të ndjeheni të pajisur mirë për të filluar të bëni një ndryshim të vërtetë në Maqedoninë e Veriut.’