Gërkovska: Vërejtjet dhe komentet e SHBA-së për ndryshimet në Kodin Penal janë thelbësore

Për zëvendëskryeministren për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, vërejtjet dhe komentet e SHBA-së dhe BE-së për ndryshimet e votuara në Kodin Penal do të jenë me rëndësi thelbësore, transmeton Portalb.mk.

“Unë thashë se neni për konfiskimin e zgjeruar është në kabinetin tim dhe shpreha rezerva për pjesën tjetër të Kodit Penal. SHBA-të janë partneri ynë strategjik dhe për mua vërejtja dhe komenti i tyre për këto ndryshime do të jenë thelbësore. E njëjta gjë vlen edhe për vërejtjet e BE-së”, tha Gërkovska në pyetjet e gazetarëve për deklaratën e ambasadores së SHBA-së, Angela Ageler, se administrata amerikane do të shqyrtojë ndryshimet në Kodin Penal.

Ndryshimet në Kodin Penal (KP), të cilat u miratuan me procedurë të shpejtë nga Kuvendi i Maqedonisë javën e kaluar, do të shqyrtohen nga ekipi juridik i Ambasadës Amerikane në vend.

Këtë e ka bërë të ditur dje ambasadorja amerikane Angela Ageler, e cila është kërkuar të komentojë miratimin e shpejtë të amendamenteve të KP. Në përgjigje të pyetjes, ajo tha se nuk i kishte parë personalisht dhe nuk mund t’i komentonte, si dhe kujtoi njoftimin e Departamentit të Shtetit nga e premtja, ku thuhet se është e nevojshme të ndiqen procedurat e sistemit juridik të vendit. 

Më herët gjatë ditës së djeshme, ambasadori evropian në vend, David Geer, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se Brukseli është duke i shqyrtuar dhe se shpejti duhet të marrë vendim për ndryshimet në Kodin Penal, të cilat shkaktuan ortek reagimesh në opinion, si në aspektin e përmbajtjes së tyre, ashtu edhe në vetë procedurën gjatë miratimit të tyre me procedurë të shkurtuar (me flamur evropian).

Ndërkohë, sot zëdhënësja e KE-së për TV 24 ka shprehur keqardhje për mungesën e konsultimit gjithëpërfshirës të palëve të interesuara vendase me Komisionin Evropian përpara miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila sipas tyre duhet të jetë konsistente dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht harmonizimin e ligjit kombëtar me acquisin e BE-së.

“Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për të promovuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar mosndëshkimin dhe për këtë arsye, sanksionet për aktivitetet e korrupsionit duhet të jenë efektive, proporcionale dhe bindëse”, thotë Pisonero.

Ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.