Në shkollat me shumicë shqiptarë në Kërçovë mungojnë dhomat senzorike për fëmijët me nevoja të posaçme

Viti shkollor filloi me mungesë të dhomave senzorike për nxënësit me nevoja të posaçme në shkollat me shumicë shqiptarë në Kërçovë. Asistentët arsimor dhe personeli i dy shkollave fillore, “Sande Shterjoski” dhe “Rexhë Rushit Zajazi” për Portalb.mk thanë se përpos dhomave mungojnë dhe asistentë. Nga Komuna thonë se dhoma senzorike ka. 

Edhe pse që nga viti 2021 në Kërçovë filloi asistenca arsimore me qëllim që çdo fëmijë të ketë qasje dhe kushte për arsim në mënyrë të barabartë me nxënësit e tjerë, në dy shkollat fillore me shumicë të nxënësve shqiptarë ende nuk ka kushte adekuate që ata të kryejnë punën e tyre në mënyrë të mirëfilltë.

Portalb.mk bisedoi me një pjesë nga asistentët arsimor të angazhuar me nxënësit shqiptarë në shkollën fillore “Sande Shterjoski” dhe në shkollën fillore “Rexhë Rushit Zajazi”. Asistentët janë angazhuar nga Enti për Rehabilitim të Fëmijëve me Dëmtim në Dëgjim, Vështirësi në të Folur, Zë dhe Vonesë Zhvillimore “Koço Racin” – Manastir, për të ndihmuar nxënësit që kanë diagnoza të ndryshme.

Nga të dy shkollat thanë se kanë mungesë të dhomave senzorike, të nevojshme për funksionim më të lehtë të procesit arsimor.

Djellza Çeliku, asistente arsimore në shkollën fillore “Sande Shterjoski”, e diplomuar në fakultetin Pedagogjik, drejtimi Edukim Special dhe Rehabilitim, tha se kushtet mundohen t’i sigurojnë vetë ose në bashkëpunim me prindërit, duke shtuar se në shkollën ku ajo punon ka një dhomë që e përdorin herë pas here në raste nevoje, por ajo nuk është dhomë senzorike.

“Zakonisht mjetet e nevojshme për realizimin e orëve mësimore përpiqemi që t’i sigurojmë vetë në klasë ose në bashkëpunim me prindërit e nxënësit, mundohemi që t’i ofrojmë kushtet e duhura për të arritur qëllimet e një njësie mësimore. Në shkollën në të cilën jam e angazhuar ka një dhomë e cila është posaçërisht për fëmijët me nevoja të veçanta të cilën e përdorim herë pas here në raste nevoje por, nuk mund të them që është dhomë senzorike. Dhoma senzorike ka një dizajn specifik përmes dritave, ngjyrave, tingujve dhe aromës e cila kombinon një sërë stimujsh për të ndihmuar nxënësin në zhvillimin dhe angazhimin e shqisave. Është e nevojshme gjithashtu për menaxhimin e nivelit të stresit, zbutjen e sjelljeve agresive, eksplorim emocional dhe relaksim.” tha asistentja arsimore Çeliku.

Dhomë senzorike në Prilep, foto: profili zyrtar në facebook i Jovanka Trençevska, ministrja e Punës dhe Punës Sociale
Kështu duket një dhomë senzorike e cila gjendet në një çerdhe në Prilep. Foto: Profili zyrtar në Facebook i Jovanka Trençevskës, ministre e Punës dhe Politikës Sociale

Mungesën e dhomave senzorike në shkollën fillore “Rexhë Rushit Zajazi” për Portalb.mk përpos asistentit, e konfirmoi edhe drejtori i shkollës, Naser Ismaili. Ai tha se që në fillim kur janë angazhuar asistentët ka kërkuar nga ministria e Arsimit dhe Shkencës dhoma të tilla.

“Që në takimet e para me atëherë ish ministren Milla Carovska, kam kërkuar dhoma senzorike, por nuk kam marrë përgjigje” tha Ismaili.

Ai më tej, përpos mungesës së dhomave senzorike, potencoi dhe problemin e mungesës së asistentëve kur rritet numri i nxënësve me nevoja të posaçme.

“Përderisa inkuadrimi i nxënësve me nevoja të posaçme vazhdon, atëherë nevojiten edhe dhoma senzorike edhe asistentë për secilin nxënës”, tha Ismaili.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb.mk në lidhje me sigurimin e mjeteve dhe kushteve të shkollave nëpër qytete thanë se ky institucion iu siguron komunave mjete përmes bllok dotacioneve mujore, nga të cilat një pjesë e mjeteve janë të parapara për sigurimin e kushteve dhe pajisjeve nëpër shkolla dhe për to komuna duhet të vendosë.

“Me procesin e decentralizimit, një numër i madh i përgjegjësive janë bartur nga institucionet qendrore te institucionet në nivel lokal, ashtu që komunat dhe shkollat jo vetëm që marrin mbështetje nga Qeveria dhe mjete për funksionim përmes të bllok dotacioneve mujore, dhe një pjesë e tyre janë të parapara për blerjen dhe pajisjen me mjete për mbështetje vizuale, por ata dhe në mënyrë të pavarur investojnë në pajisje ” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkaq, nga Komuna e Kërçovës për Portalb.mk edhe përkundër dëshmive të asistentëve që nuk ka dhomë senzorike, thanë se dhoma që është në shkollën fillore “Sande Shterjoski” është senzorike.

“Në shkollat fillore të Kërçovës, dhomë senzorike kemi në SH.F. “Sande Shterjoski” që shfrytëzohet për nevojat e fëmijëve me nevoja të posaçme. Gjithashtu, dhoma të këtilla kemi edhe në çerdhen e qytetit. Këto hapësira i përdorin edhe shkollat ku ka fëmijë me nevoja të posaçme.” thа Emin Nasufi nga sektori i arsimit të Komunës së Kërçovës.

Rikujtojmë se, në korrik të këtij viti, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, paralajmëroi se do të angazhohen mbi 800 asistentë arsimorë në shkollat ​​fillore në vitin e ri shkollor për të ndihmuar nxënësit me nevoja të posaçme arsimore që të përvetësojnë materien mësimore dhe detyrat shkollore. Në shkollat fillore në RMV ka rreth 2000 nxënës me nevoja të veçanta arsimore, ndërsa 300 nxënës në shkollat ​​e mesme.