Mucunski: Po zhvillohen bisedime për zhbllokimin e procesit eurointegrues, por detajet nuk mund t’i bëjmë publike

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se Maqedonia e Veriut mban komunikim të vazhdueshëm me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, institucionet e BE-së dhe me Bullgarinë për të gjetur një zgjidhje për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Sipas tij, opinioni është i informuar për pjesën më të madhe të aktiviteteve, por detajet e bisedimeve nuk mund të bëhen publike, transmeton Portalb.mk.

“Nëse bisedimet individuale do t’i zhvillonim para opinionit publik, kjo nuk do të na çonte askund. Ne nuk kemi alternativë tjetër përveçse të kërkojmë një zgjidhje”, tha Mucunski.

Ai theksoi se çdo zgjidhje e mundshme do të jetë në përputhje me parimet dhe qëndrimet që Qeveria i ka prezantuar publikisht.

“A po punojmë për një zgjidhje? Sigurisht. Nuk kemi reshtur së punuari gjatë dy viteve të fundit për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme”, u shpreh ministri.

Mucunski vlerësoi se ekziston një impuls pozitiv për arritjen e një zgjidhjeje, por se ende nuk ka një marrëveshje konkrete që mund t’i prezantohet opinionit.

“Derisa të pajtohen të gjitha palët e përfshira, bëhet fjalë vetëm për bisedime. Ne konsiderojmë se zhbllokimi i procesit dhe nevoja që vendi të nisë negociatat e anëtarësimit me BE-në janë me rëndësi strategjike për shtetin, rajonin dhe vetë Bashkimin Evropian”, theksoi ai.

Kohët e fundit edhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, si dhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova kanë bërë të ditur se pas dyerve të mbyllura po zhvillohen bisedime për tejkalimin e kontestit që pengon rrugën evropiane të vendit.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova së fundmi deklaroi se 30 shtatori do të jetë një datë e rëndësishme për të ardhmen e politikës së zgjerimit të BE-së, kur Komisioni Evropian pritet të prezantojë qasjen e re ndaj procesit. Në një intervistë për televizionin “Kanal 5”, ajo theksoi se ndryshimet kushtetuese, në vetvete, nuk janë garanci se nuk do të ketë pengesa të reja në rrugën drejt BE-së, ndërsa burimin e këtyre pengesave e lidhi me Protokollin 2.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mucunski tha se ndan të njëjtin qëndrim me presidenten. Sipas tij, në përmbajtjen e Kornizës Negociuese nuk ekziston asnjë dispozitë, as e drejtpërdrejtë dhe as e tërthortë, që lidhet me momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.

“Nuk ka pasur asnjë moment gjatë dy viteve të fundit kur të mos kemi biseduar për këtë çështje me shtetet anëtare të BE-së, institucionet evropiane dhe me Bullgarinë, me të cilën kemi këtë problem dypalësh. Bisedimet do të vazhdojnë, por nuk kemi ndërmend të bëjmë lëshime që prekin interesin kombëtar, historinë dhe identitetin”, theksoi Mucunski.

Ai shtoi se, sipas interpretimit të tij si ministër i Punëve të Jashtme dhe jurist, protokollet nuk janë pjesë përbërëse e Kornizës Negociuese.

Duke folur për dokumentet joformale (non-paper) që së fundmi janë shfaqur në Bruksel, Mucunski tha se po zhvillohet një debat gjithnjë e më intensiv për të ardhmen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Kohët e fundit ka një hiperprodhim të non-paper-ëve lidhur me zgjerimin e BE-së. Është e qartë se pas samitit në Tivat dhe non-paper-it franko-gjerman është shfaqur nevoja për ridimensionimin e politikës së zgjerimit”, tha ai.

Sipas ministrit, modeli aktual konsiderohet i tejkaluar dhe ishte i përshtatshëm për periudhën para 15–20 vitesh, ndërsa sot nevojiten ndryshime, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Shumë shtete anëtare po paraqesin propozime në formate të ndryshme. Në Bruksel tashmë po zhvillohet debat ndërmjet institucioneve evropiane dhe edhe ne japim kontributin tonë. Megjithatë, si vend kandidat, ndikimi ynë është i kufizuar”, deklaroi Mucunski.

Çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe pozitën e maqedonasve në Bullgari mbeten ndër prioritetet e diplomacisë maqedonase, tha Mucunski. Ai theksoi se shteti vazhdon t’i ngrejë këto tema në Këshillin e Evropës dhe këmbëngul vazhdimisht në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Jemi aktivë në disa raste, përfshirë ato që lidhen me OMO Ilinden-Pirin dhe organizata të tjera në Bullgari. Edhe pse nuk jemi palë në këto procedura, kemi të drejtë të paraqesim qëndrimet tona dhe këtë e bëjmë në mënyrë aktive në Komitetin e Ministrave”, tha ai.

Ministri rikujtoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut do të marrë presidencën e Këshillit të Evropës në vitin 2028, ndaj përgatitjet tashmë kanë nisur.

Sa i përket sigurisë rajonale, Mucunski deklaroi se, sipas informacioneve të marra nga Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, nuk ka të dhëna konkrete për kërcënime ndaj Maqedonisë së Veriut.

Kjo deklaratë vjen pasi Irani më herët paralajmëroi Bullgarinë se do ta konsiderojë shtet armiqësor për shkak të vendosjes së paralajmëruar të avionëve ushtarakë amerikanë në territorin e saj.

“Në përputhje me informacionet që kemi marrë nga institucionet kompetente të sigurisë, nuk ka asnjë informacion konkret për ndonjë kërcënim ndaj shtetit tonë”, deklaroi Mucunski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.