Maqedonia e Veriut, 22 vite në “portën” e BE-së, ndryshimet kushtetuese pengesa

Sondazhet e fundit tregojnë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë ende besim te Bashkimi Europian. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur euroskepticizmi kishte shënuar rritje, viti 2025 shënoi  përmbysje të këtij trendi, raporton Monitor.

Nga Aneta Dodevska

Njëzetedy vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Europian, marrëveshja e parë e këtij lloji në rajon, vendi jo vetëm që nuk është anëtar i familjes europiane, por as nuk ka filluar ende bisedimet e anëtarësimit.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila u pasua nga anëtarësimi në NATO, dhe më vonë pas miratimit të të ashtuquajturit “Propozim Francez”, i cili hapi rrugën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE, vendi ende nuk e ka nisur procesin e integrimit.

Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga LSDM dhe BDI, e pranoi kornizën negociuese, e cila përfshin ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, malazezëve, hebrenjve, kroatëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë.

Qeveria aktuale, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka refuzuar t’i zbatojë këto ndryshime kushtetuese, me arsyetimin se ndaj Maqedonisë së Veriut është ushtruar presion i padrejtë për të përfshirë bullgarët në Kushtetutë.

Qeveria aktuale, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka refuzuar t’i zbatojë këto ndryshime kushtetuese, me arsyetimin se ndaj Maqedonisë së Veriut është ushtruar presion i padrejtë për të përfshirë bullgarët në Kushtetutë.

Ky perceptim dhe kjo narrativë rreth procesit të ndryshimeve kushtetuese e kanë polarizuar thellësisht shoqërinë në të gjitha nivelet, si midis partive politike, ashtu edhe midis qytetarëve.

“Derisa të marr garanci të qarta se nuk do të ketë më çështje dypalëshe dhe të identitetit, unë mund të mbështes vetëm këtë lloj ndryshimi kushtetues. Kurrë nuk do të mbështes asgjë tjetër. Këtë po e përsëris këtu, e nëse është e nevojshme do ta përsëris edhe një qind herë”, deklaroi Kryeministri Hristijan Mickoski.

Qeveria aktuale kërkon garanci nga BE-ja se nuk do të ketë veto të reja gjatë procesit të negociatave për shkak të çështjeve dypalëshe që prekin identitetin kombëtar dhe shtetësinë. Në të kundërt, partia kryesore opozitare, LSDM, beson se qeveria aktuale po bllokon integrimin europian të vendit.

“Pyeteni Kryeministrin se çfarë garancish po kërkon ai dhe qeveria e tij. Pas mesazheve të tilla të qarta dhe të prera nga Brukseli dhe BE-ja, nuk ka çfarë të shtohet më dhe është e dukshme se kjo qeveri është antieuropiane. Çfarë do të bëjnë më tej? Është e qartë se Mali i Zi po ecën përpara, po ashtu edhe Shqipëria.

Çfarë do të bëjë tani qeveria e Mickoskit?”, – pyet Venko Filipçe, kryetar i partisë opozitare LSDM.

Besimi te BE-ja po rritet, por edhe frustrimi

Sondazhet e fundit tregojnë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë ende besim te Bashkimi Europian. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur euroskepticizmi kishte shënuar rritje, viti 2025 shënoi  përmbysje të këtij trendi.

Një sondazh i opinionit publik i realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në Shkup, në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare,  tregoi se 71% e qytetarëve do të votonin pro anëtarësimit në BE. Kjo paraqet një rritje të mbështetjes prej gati 10 pikë përqindjeje në krahasim me vitin paraprak.

Një ndryshim veçanërisht i rëndësishëm është vërejtur te maqedonasit etnikë, ku mbështetja për anëtarësim në BE ka arritur në 71%, duke shënuar rritje prej 15% në krahasim me vitin 2024.

Edhe pse besimi te BE-ja po rritet, analistët argumentojnë se procesi i integrimit europian po bëhet gjithnjë e më i largët.

“Jemi në një situatë që duket si një rrugë pa krye. Mbështetja për BE-në është rritur, gjë që do të thotë se qytetarët e shohin Bashkimin Europian si qëllimin më të mirë politik të vendit.

Nga ana tjetër, rezistenca ndaj ndryshimeve kushtetuese mbetet jashtëzakonisht e lartë. Duke pasur parasysh se ndryshimet kushtetuese janë e vetmja rrugë formale për të zhbllokuar negociatat, duhet të ndiqet një qasje ‘e zgjuar’ përmes garancive të brendshme.

Kjo çështje është e ndjeshme politikisht, që nënkupton se duhet të arrihet një konsensus i brendshëm midis dy ekstremeve në shoqëri — atyre që ngulin këmbë se ndryshimet kushtetuese duhet të zbatohen me çdo kusht dhe atyre që avokojnë për refuzimin e tyre të plotë”, thotë Marko Troshanovski nga “Societas Civilis”.

Sipas analistëve në Maqedoninë e Veriut, si Brukseli ashtu edhe Shkupi aktualisht mbajnë qëndrime të palëkundura. BE-ja, siç u deklarua nga Antonio Costa, presidenti i Këshillit Europian, kërkon zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, duke thënë: “Asgjë më shumë dhe asgjë më pak se aq”. Nga ana tjetër, qeveria ka njoftuar se nuk do të lejojë ndryshime kushtetuese pa ruajtur “dinjitetin kombëtar” dhe pa atë që ajo e konsideron si presion politik.

Mbetet pyetja nëse nisma e fundit diplomatike nga Brukseli — “non-paper”-i gjerman dhe francez, i miratuar më vonë edhe nga shtetet e tjera anëtare të BE-së, i cili synon të përshpejtojë dhe lehtësojë procesin e anëtarësimit — mund të shndërrohet në një zgjidhje fituese apo thjesht në një skenar ngushëllues për Maqedoninë e Veriut.

“Vitet e fundit, BE-ja ka folur për inkurajimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes një forme të ‘anëtarësimit pa anëtarësim’, por kjo nuk është e mundur pa ndryshuar dy traktatet themelore (Traktatin për Bashkimin Europian dhe Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Europian) mbi të cilat bazohet BE-ja. Me fjalë të tjera, kjo do të nënkuptonte ndryshimin e kornizës kushtetuese të BE-së.

Një lëvizje e tillë do të kërkonte konsensus, gjë që nuk është aspak e lehtë. Nëse BE-ja dëshiron të na pranojë vetëm në tregun e përbashkët, edhe për këtë ka një procedurë tjetër.

Fillimisht do të duhej të bëheshim anëtarë të Zonës Ekonomike Europiane, si Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Zvicra. E gjithë kjo përfshin procedura që kërkojnë kohë…” thotë analisti politik Mersel Bilali, i cili beson se Maqedonia e Veriut tashmë po humb kohë të vyer për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

“Nëse Maqedonia e Veriut nis negociatat, fillimisht do të fuqizohet funksionaliteti i institucioneve, krahas profesionalizimit dhe depolitizimit të tyre. Mbështetja financiare për vendet në procesin e negociatave rritet, mbështeten projekte të rëndësishme reformuese dhe vendoset një sistem i bazuar në meritë.

Si një vend kandidat afatgjatë, Maqedonia e Veriut ka gëzuar tashmë disa përfitime, përfshirë qasjen në fondet e BE-së, ndihmën teknike, liberalizimin e vizave e të tjera.

Megjithatë, anëtarësimi i plotë do të transformonte rrënjësisht çdo aspekt të marrëdhënieve në mënyrë pozitive. Mjafton të shikoni të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Qendrore që ishin prapa Maqedonisë së Veriut, me përjashtim të Sllovenisë. Sot, të gjitha ato janë shumë para nesh”, vlerëson z. Bilali.

Aktualisht, si vend kandidat për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut ka qasje në financimet e BE-së që mbështesin sektorë dhe fusha të shumta, përfshirë bujqësinë, arsimin, shëndetësinë, digjitalizimin, administratën publike, financat dhe infrastrukturën. Sipas Buxhetit të vitit 2026, vetëm përmes fondeve të BE-së pritet që këtë vit në vend të hyjnë 120.2 milionë euro.

Nga ana tjetër, nuk ka një përllogaritje të saktë se sa i kushton vendit procesi i paraanëtarësimit, pasi ai përfshin kryesisht harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së, modernizimin e administratës publike, fuqizimin e institucioneve rregullatore dhe mbikëqyrëse, si dhe investimet në sistemet doganore, tatimore dhe financiare — sektorë në të cilët një pjesë e madhe e reformave financohen vetë përmes fondeve europiane.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.