MPJ e Bullgarisë: Nuk kemi kushte të reja për Maqedoninë e Veriut, të zbatohet ajo për të cilën jemi marrë vesh

Bullgaria nuk ka kushte të reja ndaj Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, ajo pret sinqerisht ta shohë fqinjin e saj si avancon drejt anëtarësimit të plotë, nëpërmjet sukseseve në procesin reformues dhe përpjekjeve për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Ky është qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, të publikuar, pas siç thonë prej atje, shumë pyetjeve të mediave në lidhje me natyrën e kompromisit evropian të arritur në vitin 2022 mes dy vendeve, njofton Portalb.mk.

“E presim hapin e parë në këtë proces, në pajtueshmëri me obligime te nënshkruara nga Shkupi në korrik të vitit 2022 – hyrja në fuqi e ndryshimeve të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut për qytetarët që jetojnë në territorin e këtij vendi janë pjesë e popujve tjerë, siç janë populli bullgar, sipas procedurave të brendshme”, thuhet në njoftimin e MPJ-së bullgare.

Prej atje shtojnë se marrëveshjet patjetër duhet të zbatohen, pavarësisht nëse janë multi multilaterale ose bilaterale, dhe se moszbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara e rrënon besimin, koezistencën dhe parashikueshmërinë në marrëdhëniet mes shteteve dhe shkakton hakmarrje.

“Nga miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut gjithmonë presin zbatim të të gjitha obligimeve të ndërmarra, dhe jo përpjekje që të interpretohet nëse procesi i integrimit evropian kërkon zbatimin e të njëjtave. Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE ka parametra të definuara qartë. Është e papërgjegjshme dhe joproduktive që të rrënohet ekuilibri i rëndë dhe delikat me interpretime jopërkatëse dhe tendencioze të cilat devijojnë nga kriteret e caktuara qartë nga Këshilli i BE-së për këtë çështje. Veçanërisht janë të rrezikshme përpjekjet manipuluese që të paraqiten kushtet të cilat tanimë janë nënshkruar dhe përshkruar në kompromisin e vitit 2022, si kërkesa të reja të Republikës së Bullgarisë”, thuhet në kumtesë.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.