MPB po e teston sistemin “Safe City” në Tetovë dhe Kumanovë
Ministria e Punëve të Brendshme sot ka nisur aktivitete për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e kamerave të vendosura për mbikëqyrje të komunikacionit në Kumanovë dhe Tetovë. Aktivitetet kanë filluar nga ora 08:00 dhe do të zgjasin deri në 20:00, ku në secilin lokacion procedura do të kryhet një herë për rreth 15 deri 30 minuta, dhe komunikacioni do të pezullohet përkohësisht gjatë zbatimit, njofton Portalb.mk.
MPB u bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik të respektojnë kufizimet, të tregojnë durim dhe bashkëpunim për realizim të sigurt të aktiviteteve.
Kujtojmë se, deputetët e Maqedonisë së Veriut më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet që sistemi Qyteti i Sigurt të hyjë në fuqi nga 1 shkurti. Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangëi të sistemit.
Ndryshe, kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026. Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Krahas tre qyteteve, pajisjet për “Qytetin e Sigurt“ janë vendosur dhe në fazën fillestare duhet të fillojnë të implementohen edhe në korridoret 8 dhe 10.