Moszgjerimi do t’i kushtojë BE-së më shumë se sa shtete të reja anëtare

Parlamenti Evropian dërgoi një mesazh të qartë politik se çmimi i ngecjes së zgjerimit mund të jetë më i lartë se çmimi i pranimit të anëtarëve të rinj. Në raportin e miratuar më 11 mars me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime, eurodeputetët vlerësuan se zgjerimi është një përgjigje strategjike ndaj realitetit të ri gjeopolitik dhe një investim jetësor në sigurinë dhe stabilitetin e Unionit, transmeton Racin. Në të njëjtin dokument thuhet se moszgjerimi mbart rrezikun e krijimit të zonave gri gjeopolitike të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj antagonist.

Me këtë Brukseli praktikisht pranon se çështja e anëtarëve të rinj nuk është më vetëm një proces teknik bisedimesh, por një llogari sigurie dhe politike për të gjithë Evropën. Në arsyetimin e raportit thuhet se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe trazirat më të gjera gjeopolitike kanë treguar se ngecja në zgjerim hap një boshllëk që po shfrytëzohet nga Rusia, Kina dhe aktorë të tjerë të dëmshëm jo-evropianë. Mesazhi është se çdo vonesë e ka një çmim, jo ​​vetëm për vendet kandidate, por edhe për vetë BE-në.

Në të njëjtën kohë, eurodeputetët nuk ofrojnë optimizëm të zbrazët politik. Përkundrazi, ata theksojnë se anëtarësimi duhet të mbetet rreptësisht i bazuar në meritë, të jetë reverzibil dhe pa shkurtesa kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, reformat demokratike, lirinë e medias, gjyqësorin e pavarur, të drejtat e pakicave dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo do të thotë që zgjerimi nuk prezantohet si një dhuratë, por si një investim strategjik që duhet të sigurohet nga reforma të thella dhe të qëndrueshme në vendet kandidate.

Në debatin rreth dokumentit komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, tha se Unioni nuk ka vend për vende që do ta minonin atë nga brenda, duke theksuar se vendet e ardhshme anëtare duhet të jenë demokraci të forta dhe elastike, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe qendrave të tjera të jashtme. Ajo paralajmëroi edhe se statusi i “favoritit” nuk garanton asnjë rrugë të privilegjuar, me çka e bëri të qartë se vullneti politik për zgjerim shkon krah për krah me kontrolle më të rrepta mbi qëndrueshmërinë demokratike.

Në Raport përmenden konkretisht Mali i Zi dhe Shqipëria si vende që tashmë kanë vendosur afate ambicioze për përfundimin e negociatave, deri në fund të viteve 2026 dhe 2027. Në të njëjtën kohë Parlamenti Evropian kërkon që Unioni t’i largojë bllokadat e veta të brendshme aty ku kandidatët tregojnë përparim të vërtetë në reforma. Në një kornizë të tillë mesazhi është i dyfishtë: BE-ja do zgjerim, por do zgjerim që do ta përforcojë, ejo ta dobësojë atë nga brenda.

Për Maqedoninë, ky është një sinjal i rëndësishëm në një kohë kur procesi i integrimit evropian mbetet i bllokuar mes mbështetjes formale nga Brukseli dhe bllokimeve të vërteta politike. Raporti i ri tregon se në institucionet evropiane gjithnjë e më e përhapur është qëndrimi se zvarritja nuk është një situatë neutrale, por një kosto që përfundimisht mund të bëhet më e madhe se vetë zgjerimi. Është një mesazh se boshllëku në Ballkan nuk do të mbetet bosh për shumë kohë, por po mbushet shpejt me ndikime që BE-ja tashmë i konsideron si rrezik.